Putin firmos dekretin: Ukrainasit që refuzojnë nënshtetësinë ruse, do të dëbohen

28/04/2023 14:20

Vladimir Putin firmosi dekretin që lejon deportimin e banorëve nga territoret ukrainase të aneksuara në mënyrë të paligjshme prej Rusisë pas fillimit të agresionit të saj ndaj vendit fqinj, nëse ata refuzojnë të marrin nënshtetësinë ruse.

Dekreti i publikuar në portalin zyrtar rus të informacioneve ligjore parashikon që mbajtësit e pasaportave ukrainase në këto rajone ose të bëhen qytetarë rus, ose ta deklarojnë se e refuzojnë një gjë të tillë, e në këtë mënyrë do të konsiderohen shtetas të huaj dhe nga 1 korriku 2024, mund të dëbohen prej andej.

Arsyetimi i dhënë për këtë lëvizje është se ata persona që do ta marrin statusin e shtetasve të huaj apo qytetarëve pa shtetësi mund të kërcënojnë “sigurinë kombëtare”, e për këtë, duhen larguar.

“Ata që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, mbështesin ndryshimet e dhunshme të rendit kushtetues, financojnë aktivitetet terroriste dhe ekstremiste apo marrin pjesë në aktivitete të paautorizuara mund të dëbohen”, nënvizohet në vendim.

Po kështu, qytetarët që kanë jetuar në territoret e pushtuara ukrainase në ditën kur ato janë aneksuar, dhe qytetarët që paraprakisht kanë jetuar në këto territore dhe janë zhvendosur në Rusi, por që kanë deklaruar se duan të mbajnë shtetësinë ukrainase do të konsiderohen gjithashtu të huaj edhe ata.

30 shtatorin e vitit 2022, shefi i Kremlinit firmosi dokumentet për të formalizuar përpjekjet e Rusisë për aneksimin e rajoneve ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhjës, të cilat janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse. Përpara këtij japi, Moska zhvilloi në këto zona disa pseudoreferendume, rezultatet e të cilave u refuzuan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA