Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy shqiptarë dhe dy italianë, pasi akuzohen se pastronin para përmes tregtisë së floririt.

Gjatë hetimeve, nga ana e Prokurorisë u arrit të evidentohej një skemë e mirëfilltë e transferimit të shumave monetare me prejardhje të dyshuar kriminale nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.

Sakaq, është kërkuar “arrest me burg” për shtetasit shqiptar K.K. dhe K.K., si dhe dy shtetas italianë P.C. dhe N.T., të akuzuar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria Tiranë gjithashtu ka proceduar penalisht edhe subjektin TIRANA-BULLION Sh.p.k, me administratore shtetasen K. K., pasi dyshohet se përmes kësaj shoqërie fiktive bëhej eksportimi i floririt me qëllim tregtimin.

Sipas Prokurorisë, TIRANA-BULLION Sh.p.k bënte blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore për të justifikuar transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga Bankat Italiane në ato Shqiptare.

Këto transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, pra duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo këto shuma mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin kesh dhe zhdukeshin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, duke pasur parasysh vlerën e detyrimit tatimor të shmangur dhe përsëritjen e veprimtarisë së kundërligjshme, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, çka u miratua nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA