Papa Françesku ka nisur të premten vizitën e tij treditore në Hungari, që me gjasë do të dominohet nga lufta në Ukrainë.

Ai pritet të takohet me kryeministrin nacionalist hungarez, Viktor Orban, me të cilin shpesh ka mendime të ndryshme.

Papa do të qëndrojë vetëm në Budapest gjatë vizitës së tij për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Ati i Shenjtë muajin e kaluar u shtrua në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

Pasi u mirëprit në Pallatin presidencial nga presidentja Katalin Novak, Françesku do të takohet me Orbanin.

Orban është në pushtet që nga viti 2010 dhe rregullisht ka përdorur retorikë anti-migrantëve për të mbrojtur “Evropën e krishterë”.

Ndërkaq, Papa ka një qëndrim më mirëpritës ndaj personave që largohen nga varfëria apo zonat e konfliktit.

Megjithatë, gjatë takimit vitin e kaluar në Vatikan, Françesku kishte falënderuar Orbanin pasi Hungaria mirëpriti ukrainasit që u larguan nga lufta.

Pesë muaj para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Papa Françesku kishte zhvilluar një vizitë shtatëorëshe në Budapest, gjatë së cilës kishte premtuar se do ta vizitonte sërish Hungarinë, shtet ku 39 për qind e popullsisë është e krishterë.

Françesku gjatë qëndrimit në Hungari do të takohet me autoritetet shtetërore, diplomatët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.

Ai ka thënë se planifikon të takohet me të rinjtë, anëtarët e kishave lokale dhe të dielën të udhëheqë meshën.

Françesku vazhdimisht ka bërë thirrje për paqe në Ukrainë dhe pritet që të takohet edhe me refugjatët ukrainas.

Orban, që ka lidhje me Moskën, ka qenë i kujdesshëm që të mos e kritikojë presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.

Ai ka refuzuar që t’i dërgojë armë Kievit dhe ka dënuar sanksionet e vendosura ndaj Moskës. Këto qëndrime kanë ndërlikuar raportet e Hungarisë me Ukrainën dhe kanë përkeqësuar raportet me partnerët në Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA