Axhenda e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç në 2 maj në Bruksel, tashmë është konfirmuar nga Bashkimi Europian.

Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano pohoi se në këtë përballje të re mes dy liderëve, në rend ditë do të jenë dy çështjet kryesore të ngritura nga palët: miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe paraqitja e draftit të parë të statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Stano preferoi të mos i komentonte kritikat e lëshuara nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale të 23 prillit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të bojkotuara masivisht nga këta të fundit. Ai nuk foli as për ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që të përqendrohen tek zbatimi i detyrimeve të tyre. Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, i cili mbetet platforma e vetme për diskutim”, tha Stano.

Pjesëmarrjen në këtë takim të radhës në Bruksel e kanë konfirmuar si Kurti, ashtu edhe Vuçiç. Sipas Stanos, përveç dy temave të mësipërme, dy liderët pritet të diskutojnë edhe për çështje të tjera. Takimi zhvillohet në kohën kur Kosova e ka akuzuar Serbinë për shkelje të Marrëveshjes së  normalizimit të raporteve, të arritur më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA