Për më shumë se 12 orë, Aishe Haklaj, vajza e madhe e familjes Haklaj dëshmoi para dy prokurorëve të SPAK mbi kallëzimin e depozituar shtatorin e kaluar në të cilin, akuzohet ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues i ekzekutimeve të katër vëllezërve të saj.
Berisha është denoncuar së bashku me 14 të tjerë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e familjes Haklaj për akte terroriste, vrasje , organizatë dhe veprime në kuadër të organizatës.
Dëshmia e Aishe Haklaj u administrua nga Altin Dumani dhe Elida Kaçkini. Edhe njëherë motra e madhe e Haklajve rrëfeu të gjithë dinamikën e ngjarjeve se si u vranë vëllezrit e saj Halili, Shkëlqimi, Fatmiri dhe Ylli Haklaj.
Pasi doli nga SPAK, Aishe Haklaj, e cila kishte ardhur posaçërisht nga Suedia, ku ka fituar azilin politik, tha se ka besim tek drejtësia e re ndërsa nuk pranoi të jap më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
“Me gjithë respektin e madh për mediat. Sepse ju keni kryer detyrën dhe keni qenë pushteti i vetëm që kemi munduar t’i drejtohemi. Tani besimi ynë është ende te SPAK. Nuk mund të them më shumë sepse edhe sekretet edhe gjithçka që duhet të ruhet.”- tha Aishe Haklaj.
Në kallëzimin e depozituar në datë 7.9.2022, që mban emrin e Muharrem Haklajt, babait të 4 djemve të vrarë, dhe motrës së tyre, Zylfie Haklajt akuzohet Sali Berisha që në periudhën kur ndodhën ngjarjet kriminale mbante postin e Presidentit të Republikës. Së bashku me të, familja Haklaj akuzon dhe 14 persona të tjerë të cilët sipas padisë luajtën rolin e ekzekutorëve.
Duke i bërë përgjegjës për 13 ngjarje të ndryshme kriminale të ndodhura nga vitit 97 deri në 2006, familja Haklaj kërkon që Berisha së bashku me gjithë emrat e tjerë të hetohet.
Avokati i familjes Haklaj, Idajet Beqiri, në kallëzimin e dorëzuar në SPAK pretendon se ka prova të konsiderueshme që implikojnë personat e mësipërm në vrasjen e 4 djemve të familjes Haklaj të Tropojës dhe për t’i mbrojtur këto prova ai garanton edhe një sërë dëshmitarësh.
Top Channel