Shefi i BBC-së Richard Sharp dha dorëheqjen të premten pasi një hetim i pavarur doli në përfundimin se ai kishte shkelur rregullat, duke mos deklaruar një konflikt të mundshëm interesi, lidhur me rolin e tij në sigurimin e një kredie prej 1 milion dollarësh, për ish-Kryeministrin Boris Johnson.
Largimi i tij vjen në një kohë kur është rritur vëmendja lidhur me paanësisë së transmetuesit publik britanik të financuar nga publiku. Muajin e kaluar BBC ishte në epiqendra e titujve të parë të gazetave për shkak të kritikave të prezantuesit të famshëm sportiv Gary Lineker ndaj politikave të qeverisë mbi migracionin.
Zotit Sharp, një ish-bankier i bankës së investimeve ‘Goldman Sachs’ dhe donator i Partisë Konservatore në pushtet, mori drejtimin e BBC-së në vitin 2021.
Prej muajit shkurt të këtij viti, ai ka qenë nën trysni pasi një komision ligjvënësish, ofroi një raport kur thuhej se ai kishte bërë “gabime të rënda në gjykim”, duke dështuar të deklarojë, se ishte përfshirë në çështjen e huasë së marrë nga zoti Johnson.
Zoti Sharp ka rënë dakord të qëndrojë në detyrë deri në fund të qershorit deri në caktimin e zëvendësuesit të tij.
Edhe pse shefi i BBC-së emërohet nga qeveria, pavarësia e transmetuesit është një element i rendësishëm që e bën atë që të luajë një rol qendror në jetën kulturore britanike. BBC-ja financohet nga një tarifë që paguajnë familjet britanike (taksa e televizorit).
Zëdhënësja për kulturën e Partisë Laburiste të opozitës, Lucy Powell, tha se “qasja e pamoralshme dhe favorizimi i miqve’ nga ana e qeverisë konservatore, kishte dëmtuar reputacionin e BBC-së. Ajo shtoi se ishte i nevojshëm “një proces vërtet i pavarur dhe i fortë” në emërimin e pasardhësit të zotit Sharp.
I pyetur nga gazetarët nëse kreu i ri i BBC-së duhet të ishte një emërim jo politik, kryeministri Rishi Sunak, i cili ka punuar me zotin Sharp në ‘Goldman Sachs’, tha: “Ekziston një proces i përcaktuar qartë mbi emërimet dhe do të ishte mire që ta trajtojmë këtë çështje në kohën e duhur”.
Pikëpyetjet në lidhje me paanësinë e BBC-së janë vetëm një nga sfidat me të cilat përballet transmetuesi. Transmetuesi publik po has vështirësi për të ruajtur ndikimin tek audienca më e re në moshë, e cila nuk sheh më televizor, mes problemesh të tjera, që lidhen me shkurtimin e buxhetit.
Hetimi i emërimeve publike
Hetimi i nisur nga mbikëqyrësi i emërimeve publike, shqyrtoi mënyrën se si zoti Sharp u zgjodh nga qeveria për të kryesuar transmetuesin.
Në mënyrë të veçantë, u shqyrtua nëse zoti Sharp kishte deklaruar të gjitha detajet mbi rolin e tij në lehtësimin e procedura për marrjen e një kredie prej 800,000 paundësh ose 1 milion dollarësh, nga zoti Johnson, përpara se ai të emërohej shef i BBC-së.
Hetimi zbuloi se zoti Sharp kishte shkelur kodin e qeverisë për emërimet publike, por kjo shkelje jo domosdoshmërisht e bënte të pavlefshëm emërimin e tij. Zoti Sharp ka thënë se veprimet e tij ishin “të paqëllimshme dhe pa përfitim material”.
Por megjithatë ai tha se besonte se qëndrimi i tij deri në fund të mandatit katërvjeçar do të krijonte shpërqendrim nga “puna e mirë” që kryen transmetuesi.
“E konsideroj të drejtë t’i jap përparësi interesave të BBC-së”, tha zoti Sharp në një deklaratë. “Ndaj, këtë mëngjes dhashë dorëheqjen si shef i BBC-së”.
Në raport përmendet se zyra e zotit Johnson, kur ky i fundit ishte kryeministër, rekomandoi zotin Sharp si “një kandidat të fortë” për detyrën e shefit të BBC-së, mes 23 aplikimesh për këtë post.
Zoti Sharp ka pohuar se ai nuk ishte i përfshirë në dhënien e kredisë ose në rregullimin e një garancie mbi kredinë, por se ai nuk kishte bëri asgjë më shumë se sa një prezantim të biznesmenin kanadez Sam Blyth, me një zyrtar qeveritar në fund të vitit 2020.
Andrew Heppinstall, i cili kreu hetimin, tha se ishte “i lumtur të shënonte” në raport që nuk kishte parë asnjë provë se zoti Sharp kishte luajtur ndonjë rol në çështjet private financiare të zotit Johnson, përveç përpjekjes për prezantim me biznesmenin kanadez.
Top Channel