Ish-nënpresidenti Mike Pence doli para jurisë së madhe që po heton rolin e ish-Presidentit Donald Trump në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, tha për agjencinë Reuters të enjten, një burim që ka dijeni mbi rastin.
Më herët, televizionet ABC News dhe NBC News njoftuan se zoti Pence qëndroi në Gjykatën e qarkut të Uashingtonit për më shumë se shtatë orë. Nuk është ende e qartë se çfarë mund të ketë deklaruar para jurisë së madhe zoti Pence, i cili është zyrtari më i lartë i administratës së zotit Trump që thirret për të dëshmuar para jurisë. Avokatët e zotit Pence nuk dhanë asnjë koment.
Dalja para jurisë së madhe e ish-nënpresidentit vjen në një kohë kur ai po shqyrton mundësinë për të sfiduar zotin Trump për të fituar emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të 2024.
Ndaj zotit Trump, i cili ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, u ngritën akuza penale në Nju Jork lidhur me pagesat e bëra në këmbim të heshtjes lidhur me akuzat për marrëdhënie jashtëmartesore me dy gra. Rrjeti CNN tha të mërkurën se gjykata hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump për të bllokuar dëshminë e zotit Pence.
Sipas agjencisë Associated Press, zoti Trump po mbante një fjalim në Nju Hemshër kur u publikua lajmi për dëshminë e zotit Pence. I pyetur në një restorant nëse ishte i shqetësuar për këtë, zoti Trump u përgjigj, “Jo nuk jam dhe nuk kam asnjë dijeni për dëshminë”.
Në fillim të këtij muaji, zoti Pence tha se ai nuk do të apelonte vendimin e një gjyqtari që kërkonte që ai të dëshmonte para jurisë së madhe federale për bisedat që kishte zhvilluar me zotin Trump përpara sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
“Do t’i bindemi ligjit dhe do të tregojmë të vërtetën”, tha zoti Pence në një intervistë për CBS News që u transmetua të dielën. “Të njëjtën histori që u kam treguar amerikanëve në gjithë vendin, që e kam shkruar në librin tim të kujtimeve, po atë do të tregoj edhe kur të dal para jurisë”, tha ai.
Prokurori i posaçëm Jack Smith po drejton hetimet mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, përfshirë një komplot për të hartuar lista votuesish të rremë për të bllokuar Kongresin që të certifikonte fitoren e demokratit Joe Biden.
Zoti Smith po udhëheq po ashtu edhe një tjetër hetim, të Departamentit të Drejtësisë, mbi çështjen nëse ish-presidenti Trump mori në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara pas mbarimit të mandatit, në rezidencën e tij në Mar-a Lago të Floridës. Nuk është ende e qartë se kur pritet të mbyllen hetimet për të dyja rastet, si dhe nëse do të ngrihen akuza për çështjet./VOA
Top Channel