Haaland “parakalon” Salah, bomberi norvegjez dy gola larg historisë në Premier League

28/04/2023 08:58

Erling Haaland është shumë pranë një rekordi historik sa i takon Premier Leagues. Bomberi norvegjez i Manchester City shënoi golin e katërt në triumfin 4-1 të The Citizens ndaj Arsenal duke regjistruar golin numër 33 në këtë sezon të Premier League.

Një shifër e cila e ndihmon të parakalojë Mohamed Salah në listën e golashënuesve më të mirë në elitën angleze.

Egjiptiani i Liverpool ishte ndalur në kuotën e 32 golave në sezonin 2017/18, mirëpo tashmë kjo shifër është eklipsuar nga lojtari nordik. Gjithsesi, Haaland ende nuk është në krye të listës së golashënuesve më të mirë në Premier League teksa rekordi mbahet nga Andrew Cole dhe Alan Shearer me të dy futbollistët që kanë shënuar 34 gola. Gjithsesi me shtatë ndeshje në dispozicion duket sikur Haaland e ka në “xhep” rekordin dhe mbetet vetëm çështje kohe para se të rishkruajë historinë në Premier League.

Impakti i Haaland në Premier League ka qenë i padiskutueshëm prej ditës së parë kur shkeli në Angli me sulmuesin që po ndihmon jashtë mase Cityn në kampionat, por edhe në Europë aty ku anglezët janë në gjysmëfinale të Champions League dhe para kanë dy përballje me Real Madrid.

Ndërkohë, nëse i hedhim një sy statistikave të përgjithshme në këtë sezon të parë të Haaland me Cityn, atëherë shifrat bëhen edhe më të frikshme me norvegjezin që në total ka shënuar 49 gola në 43 ndeshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA