Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, konfirmoi emërimin përbërjes së re të Qeverisë së Federatës, në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, të premten, më 28 prill.

Në favor të emërimit të ministrave të rinj dhe të kryeministrit të këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, votuan 51 përfaqësues, dy ishin kundër dhe një abstenoi.

Paraprakisht, përfaqësuesit e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) dhe Frontit Demokratik, parti opozitare në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, e braktisën seancën.

Qeveria e entitetit ka kryeministrin dhe 16 ministra, të cilët bënë betimin solemn në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përbërja e re do të përfshijë ministra nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i Bosnjë e Hercegovinës, Partia Socialdemokrate (SDP) e Bosnjë e Hercegovinës, HDZ 1990, Partia jonë dhe partia Populli dhe Drejtësia (Narod i Pravda).

Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve u mbajt një ditë pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, vendosi ndryshime në Kushtetutën e Federatës boshnjake-kroate, me qëllim të formimit sa më të shpejtë të Qeverisë së kësaj federate.

Më 27 prill, Schmidt, ndër të tjera, mori një vendim të përkohshëm, i cili vlen vetëm për këtë cikël zgjedhor. Kjo mundësoi formimin e qeverisë së re, e cila nuk u formua për gati shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, për shkak të kundërshtimit nga Partia e Veprimit Demokratik, partia kryesore boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë.

Kryeministër i Federatës boshnjake-kroate u emërua Nermin Nikshiç, kryetar i SDP-së së Bosnjë e Hercegovinës.

Planet e përbërjes së re të Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate i prezantoi Nermin Nikshiç (SDP), i cili u emërua kryeministër i entitetit.

Ai theksoi se përballja me rritjen e inflacionit është një nga sfidat kryesore.

Nikshiq theksoi se ekonomia e Bosnjë e Hercegovinës po rimëkëmbet më ngadalë dhe më vështirë pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ekonomia, siç th ai, është prekur edhe nga situata e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Federata duhet të jetë më e mirë me çdo qeveri të re. Besoj se do të bëhemi shembull i praktikës së mirë politike”, tha ai, duke paralajmëruar, ndër të tjera, programe stimuluese për eksportuesit, lehtësira për regjistrimin e kompanive të reja, si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Nikshiq poashtu tha se Qeveria do të punojë për sigurimin e kujdesit shëndetësor më cilësor, për futjen e kategorisë së të ashtuquajturit pension social, si dhe forcimin e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një nga detyrat, sipas tij, do të jetë ndalimi i shpërnguljes së njerëzve nga Bosnjë e Hercegovina, sepse, siç tha ai, “500 mijë njerëz janë larguar” në tetë vjetët e fundit.

“Qëllimi i masave është kthimi i qytetarëve që u larguan nga Bosnjë e Hercegovina, në valën e migrimit në periudhën e pasluftës. Njerëzit u shpërngulën dhe humbën shpresat. Duhet të tregojmë se mund të jemi më mirë”, theksoi ai.

Pakënaqësia me vendime e Schmidt

Para votimit për Qeverinë e re të Federatës boshnjake-kroate, përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) të opozitës, e më pas përfaqësuesit e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) u larguan nga seanca e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përfaqësuesi i FD-së, Mahir Meshalliç, i cili protestoi me zë të lartë gjatë fjalimit të Nikshiçit, tha se do t’u bashkohet qytetarëve që protestonin para ndërtesës së Parlamentit, kundër emërimit të Qeverisë.

“Ky është një sulm brutal ndaj rendit kushtetues me qëllim të formimit të një qeverie me karakter okupues, e cila do ta orientojë Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës kah Zagrebi”, tha Meshalliç.

Përfaqësuesi i SDA-së, Nezir Piviq, vlerësoi se po bëhen përpjekje që qeveria të behet përmes detyrimit.

“Demokracia u suspendua plotësisht. Çfarë tjetër mund të thuhet tjeter, kur vendosen rregullat pas përfundimit të garës”, tha Piviq, duke iu referuar vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare Christian Schmidt.

Përfaqësuesit e tjerë të SDA-së dhe partive të tjera që nuk janë pjesë e koalicionit të ri qeverisës në Parlamentin e Federatës boshnjake-kroate, shprehën kundërshtimet e tyre ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë, duke theksuar se qëllimi i tyre është “të mbrojnë politikën e HDZ-së”.

Pse u vonua formimi i Qeverisë?

Qeveria e Federatës boshnjake-kroate u formua gati se shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

Formimi u vonua për shkak se Lidija Bradara (HDZ e Bosnjë e Hercegovinës), kryetarja e këtij entiteti nga radhët e popullit kroat, nuk e kishte mbështetjen për emërim nga ana e pëlqimin për dy nënkryetarëve.

Pëlqimin për emërimin e ministrave të rinj dhe të kryeministrit, paraprakisht e dha nënkryetari nga radhët e popullit serb, Igor Stojanoviç (SDP).

Emërimi u kundërshtua nga Refik Lendo, nënkryetari i Federatës nga radhët e popullit boshnjak, i cili këmbënguli që SDA-ja, si partia më e madhe boshnjake, të jetë pjesë e saj.

SDA nuk është pjesë e koalicionit politik, i cili u formua pas zgjedhjeve të përgjithshme, duke qenë se HDZ e Bosnjë e Hercegovinës dhe partitë e mbledhura rreth SDP-së nuk dëshiruan të bëjnë koalicion.

Më 27 prill, përfaqësuesi i lartë, përmes masës së përkohshme, konfirmoi vendimin për emërim, të cilin e kishte dërguar Bradara dhe e kishte nënshkruar Stojanoviq, por pa nënshkrimin e Lendos.

Deri në vendimin e tij, presidenti i Federatës boshnjake-kroate i propozoi Dhomës së Përfaqësuesve një qeveri të re të entitetit dhe për këtë ai duhej të merrte pëlqimin e të dy nënkryetarëve.

Përbërja e mëparshme e Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate u emërua në mars të vitit 2015, pas zgjedhjeve të mbajtura gjysmë viti më parë. Ajo përbëhej nga SDA, HDZ-ja e Bosnjë e Hercegovinës dhe partia Aleanca për një të ardhme më të mirë.

Pas zgjedhjeve në vitin 2018, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe mungesës së një shumice të qartë parlamentare, nuk u emërua ekzekutivi i ri i entitetit, duke përfshirë kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA