Fushata elektorale do të shoqërohet edhe me padi penale në Prokurorinë e Posaçme në SPAK.
Sali Berisha po përgatit padi për dy kandidatët për kryebashkiak të Partisë Socialiste në Tiranë dhe Durrës.
“Zonja Sako do shkojë për ndjekje penale për hidrovorin e Durrësit. Sikundër sdo shkojë Erion Veliaj si njeri që për xhepat e tij ka lejuar familjarët e drejtorëve të pasurohen me paratë e taksapaguesve shqiptar”, tha Berisha.
Një apel për SPAK pati edhe kandidati për Tiranën Belind Këlliçi.
“Kam një thirrje për SPAK-un. Ka shumë fjalë, po flitet ditët e fundit, se po përgatiteni që Mariglen Qaton ta arrestoni pas zgjedhjeve, për të mos i dhënë kosto kryetarit të bashkisë. Çfarë ju pengon të shkoni dhe t’i verifikoni ato akuza që kam bërë unë?”, tha Këlliçi.
Jo vetëm ndaj kandidatëve socialist, shigjetat e sulmeve të Sali Berishës u drejtuan edhe drejt Enkelejd Alibeaj.
“Brava dhe Alibasha janë pengje të Edi Ramës. Të dy në lidhje krimi me Edi Ramën, kur të dojë Rama ja çon Bashës dosjen ne Gjykatë, Alibeaj ka vellanë grabitës me armë në Gjermani”, tha Berisha.
Për shkak se humbi logon e partisë, ditën e zgjedhjeve Berisha nuk do të ketë as komisioner dhe as numërues, ndaj shpresat i ka jo vetëm te vëzhguesit e tij, por edhe ata të huaj.
“Fatmirësisht ka një vëzhgim ndërkombëtar. Dhe do ketë një bashkëpunim të ngushtë me vëzhguesit ndërkombëtar”, shtoi Berisha.
Berisha ripërsëriti ftesën për debat për Edi Ramën.
Top Channel