Kosova është kryefjala e takimit të Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbrëmjen e sotme, ku diskutohet raporti i ri gjashtëmujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Seanca mbahet në Nju Jork dhe drejtohet nga Rusia, që mban presidencën e radhës së këtij organizmi. Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiç.

Mësohet se në raportin që mbulon periudhën nga 16 shtatori 2022 deri në 18 mars 2023, Guterres përshëndeti marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Raportin e kreut të OKB-së në këtë seancë e prezanton shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, me theksin të vendosur tek fakti që korniza e re e dialogut ka potencialin ta çojë përpara procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Aty nënvizohet se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.

“Palët janë zotuar plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut në vitin 2011”, shkruan Guterres.

Ai shtoi se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”. Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet, si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës,  si dhe shenjëstrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit të dhunës”, është mesazhi i tij.

Top Channel