Diaspora turke në Gjermani nis votimin e parakohshëm për zgjedhjet presidenciale (fotot)

27/04/2023 19:01

Pikat e votimit ishin hapur sot në Gjermani për rreth 1.5 milionë votues të regjistruar turkë që jetojnë aty, diaspora më e madhe dhe më e rëndësishme për zgjedhjet e vendit.

“Shpresoj që të kemi një demokraci me këto zgjedhje në Turqi”, tha një votues në konsullatën turke në Berlin.

Qytetarët turkë në Gjermani janë kryesisht pasardhës të ‘emigrantëve të ftuar’ me fushatat masive ekonomike të viteve 1960-të e 70-të, dhe tashmë votojnë në rreth 26 qendra të hapura në të gjithë vendin.

Sondazhet para zgjedhjeve të 14 majit tregojnë për një garë të ngushtë mes presidentit Rexhep Tajip Erdogan me kreun opozitar Kemal Kilicdaroglu.

69 vjeçari Erdogan, përballet me zemërimin e publikut për gjendjen e vështirë ekonomike dhe reagimin e ngadaltë ndaj pasojave të tërmetit shkatërrimtar të shkurtit, ku vdiqën më shumë se 50,000 njerëz.

Ekonomistja 30 vjeçare Nihan Kol, e cila ka jetuar në Germani prej vitit 2017, tha se kërkonte një ndryshim për mirë në Turqi.

“Shumë gjëra të tmerrshme kanë ndodhur vitet e fundit, tërmeti ishte një katastrofë, besoj se kjo do të luajë rolin kryesor në rezultatin”, tha Kol.

29 vjeçari Kutay Yilmaz, në një pikë votimi në Berlin, shtonte: “Kam ardhur të votoj pasi Turqia është në një situatë të keqe, ekonomia është e keqe dhe po ashtu siguria”.

“Një ditë dua të kthehem në Turqi, prandaj kam ardhur sot, sepse dua një ndryshim për mirë”, shtoi Jilmaz.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA