Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pas zbardhjes së ngjarjes kriminale ndodhur në Shëngjin pak ditë më parë, ku ka ironizuar akuzat e “katranit me bojë”, siç e ka cilësuar ai Sali Berishën, i cili ua “faturoi” kundërshtarëve politikë autorësinë e krimit.
Ky është shah-mati i radhës i Berishës, thotë Balla, që si gjithmon ai do t’i gjej anën për ta kundërshtuar.
Sipas numrit dy të Partisë Socialiste, kundërshtimi i të vërtetës dhe të varja në litarin e gënjeshtrës dhe shpifjes janë “dy armët e vetme që ka dhe ka pasur ky mbeturinë politike”.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për zbardhjen në një kohë rekord të ngjarjes së rëndë kriminale në Shëngjin, ku tashmë janë identifikuar mbështetur në prova të pakundërshtueshme autorët, porositësit dhe për t’i dhënë mundësinë publikut të njohë plotësisht organizimin dhe financimin e atij akti të rëndë kriminal.
Dhe siç ndodh gjithmonë në këto 30 vite, sapo ndodh një ngjarje kriminale, nuk munguan as akuzat e katranit me bojë Sali Berisha dhe rrugëhumburve që i shkojnë pas, gjithmonë i gatshëm t’ia atribuojë kundërshtarëve politikë autorësinë e krimit. Madje këtë e ka bërë edhe kur ka qenë vetë i përfshirë si më 12 Shtator 1998 apo më 21 Janar 2011.
Tashmë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e kanë zbardhur ngjarjen brenda disa ditësh dhe harresa nuk mund të jetë shpëtimi nga turpi i deklaratave dhe akuzave të non-gratës. Jam i sigurtë që edhe në këtë shah-mat të radhës do të kundërshtojë të vërtetën dhe do të varet në litarin e gënjeshtrës dhe shpifjes, dy armët e vetme që ka pas dhe ka ky mbeturinë politike”- thotë Balla.
Top Channel