Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj u takua me banorët e njësisë nr.7 në kryeqytet.
Veliaj u ndal tek kundërshtari tij për kryeqytetin që e sheh si vegël të koalicionit bashkë fitojmë.
“Disa prej tyre nxjerrin edhe gishtin e mesit, kur kërkojnë të votohen nga populli. Turp i madh! Por, Etilda ka të drejtë kur tha se duhet diploma e gjimnazit… prandaj duhet diplomë e maturës, e pjekjes sepse një njeri i pjekur në 2023 nuk nxjerr gishtin e mesit për të kërkuar vota dhe për të lidhur kontratë që t’i shërbejë dikujt. E merrni ju dikë në punë që ju nxjerr gishtin e mesit? Turp! Por, nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh është që ata janë sapun dhe detergjentë për fytyrën që nuk lahet dot të Saliut e të Ilirit. Ky është problem më i madh se gishtat e se diplomat”- tha Veliaj.
Më 14 maj tha Veliaj qytetarët duhet të zgjedhin PS për të shkuar përpara.
“Një nxënës, i cili nuk shkon 4 vjet në shkollë, mund të marrë diplomë? Përveç atij kandidatit tonë, e kam fjalën për të tjerët, a mund të marrin diplomë? Jo! Ne një kalama që nxjerr gishtin e mesit e nxjerrim nga klasa, një kalama një nuk vjen 4 minuta merr mungesë. Por në datën 14 maj ne do braktisim ata që na çuan mbrapa e ne ecim vetëm përpara”,-tha Veliaj.
Aleancën e çiftit Berisha-Meta, kandidati i PS e cilësoi si Sindromën e Stokholmit, një histori dashurie me dhunuesin.
“Sot, Saliu është ‘non grata’. Por Saliu nuk ka ngelur vetëm në këtë hall. E ka edhe një shok të vet, Ilir Metën, që deri dje e fuste në burg, deri dje sabotonte çdo qeveri, ka rrëzuar gjithë qeveritë e PD. Por Saliu ka sindromën e Stokholmit. Ka rënë në dashuri me atë që e dhunonte, ka rënë në dashuri me atë që e ka dhunuar më shumë, atë dhe të birin. Se ju kujtohet Ilir Meta! Tha: E dhashë njëherë dorëheqjen për Zenin. Unë nuk do jap dorëheqjen tërë kohën. Pra, njeriu që ka degjeneruar më shumë Saliun dhe Zenin dhe gjithë PD është sot aleati i tij”.
Top Channel