Rama: Nuk bashkëpunoj me “non grata”/ Paralajmërimi për bashkitë ku mund të fitojë “Bashkë Fitojmë”

26/04/2023 10:07

Edi Rama pak përpara nisjes për në Angli ku do të negociojë në sjelljen e një akademie futbolli në qytetin e Durrësit, diskutoi me kryesinë e partisë strategjinë e vijimit të fushatës elektorale.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe pikat e forta e te dobëta të PS në bashkinë e 12 qarqeve.

Kryesocialisti krahas sulmeve të përditshme në takimet elektorale ndaj bashkë drejtuesve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”  i përsëriti ato edhe nga selia e PS.

“Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe për të zgjidhur si vend.

Këta njerëz janë vënë në dispozicion si parfum për zorrën qorre, janë vënë në dispozicion si maska për zorrën qorre, janë vënë në dispozicion si kukulla për zorrën qorre dhe jo për një zorrë qorre që thjeshtë përfaqëson një alternativë të kalbur, por për një zorrë qorre që thashë, është një apendicit në trupin e Shqipërisë që i shkakton trupit të Shqipërisë shqetësime të herëpashershme dhe mbi të gjitha që e ka bërë Shqipërinë shqetësim për shkak të tyre edhe të partnerëve tanë dhe aleatëve tanë strategjikë. Kjo është gjëja më e rëndë”.

Edi Rama nuk e quan presion mos-bashkëpunimin, me ata kryetarë bashkie që do të zgjidhen nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”

“Kjo është një mënyrë për t’ia thënë drejtpërdrejtë njerëzve që shikoni se do të jetë i pamundur bashkëpunimi, jo se nuk do donim ne që të mbështesim komunitetet, por sepse këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit dhe për të çuar më tutje punën që ne kemi bërë në këto bashki, por janë vënë aty për të krijuar oaze të luftës politike, për të ngritur barrikada me qeverinë qendrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte”.

Shembullin e solli nga kryeqendra e veriut të Shqipërisë.

“Do bëjmë të tonën siç e kemi bërë për shembull për Shkodrën ku e kemi pasur zero bashkëpunimin me bashkinë, jo për faktin që ne nuk kemi dashur të kemi bashkëpunim në gjithë këto vite, por për arsye që ka dhe një element tjetër që kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familjeje po themi të shthurur politike, e cila kurrë nuk ka pasur aftësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe në funksion të komuniteteve sepse nuk ka një rast”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA