Të enjten në mbrëmje do të zhvillohet një tjetër ndeshje e madhe në Premier League. Tottenham-Manchester United do të rrëmbejë skenën në ishull, sfidë me rëndësi të madhe për objektivin Champions League.
Tottenhami synon të hedhë pas krahëve humbjen e rëndë 6-1 kundër Newcastle. Dhe të rikthehet te fitorja në takimin e parë me Ryan Mason në krye të ekipit. Në anën tjetër, United luan për dy rezultate, pasi edhe barazimi do të ishte i vlefshëm për skuadrën e Erik ten Hag.
Në konferencën për shtypin përpara ndeshjes, Erik ten Hag deklaroi se ekipit të tij do t’i duhet një plan i mirë për të ndalur golashënuesin Harry Kane.
“Sigurisht, ne e kemi një plan për Kane. Në ndeshjen e parë në shtëpi, ia dolëm mbanë ta ndalonim, kështu që edhe në këtë sfidë na duhet sërish një plan i mirë. Kanë është një lojtar i zgjuar, nuk duhet ta lejojmë të krijojë situata.”
Kapiteni i Spurs vijon të përflitet si objektivi kryesor i United në merkaton verore. Kontrata e goleadorit me Tottenhamin përfundon në verën e vitit 2024.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin, atëherë klubi londinez do të jetë i detyruar për ta shitur, pasi në rast të kundërt rrezikon ta humbasë me parametra zero.
Shtypi britanik shkruan se drejtuesit e United kanë gati një ofertë prej 92 milionë eurosh për 29-vjeçarin.
Top Channel