25 vite më parë, Mark Iuliano bënte një ndërhyrje në zonë ndaj Ronaldos, e cila atëherë u konsiderua e rregullt nga arbitri, por shkaktoi një nga polemikat më të mëdha në lidhje me derbin e Italisë mes Interit dhe Juventusit.
Për 25 vite ky episode është diskutuar gjatë dhe ka ndarë në dysh opinionin, nëse duhej të jepej penallti apo jo, por pikërisht më 26 prill të 2023-shit, Interi dhe Juventusi do të përballen sërish në fushë, këtë herë për të diskutuar një vend në finale e Kupës së Italisë.
Mark Iuliano është pyetur në lidhje me episodin e shumë-komentuar në Itali dhe jo vetëm, megjithatë refuzoi të mbajë një qëndrim të saktë, duke lënë të nënkuptohet se ndoshta duhej ndëshkuar me penallti.
“Nuk dua të flas më për atë episode, pasi është folur shumë në gjithë këto vite. Ajo që e them me bindje, është që Juventusi i atij sezoni ka bërë një kampionat perfekt dhe e ke merituar titullin, ndaj nuk mund të hedhim poshtë gjithçka, duke iu referuar një episodi të vetëm”, u shpreh Iuliano.
Sa i përket sfidës së sotme në Kupë, ish-mbrojtësi i Juventusit tha se do të jetë një ndeshje e hapur dhe vetëm fusha do të përcaktojë kush do të kalojë në finale.
Top Channel