Interi dhe Juventusi do të përballen mbrëmjen e të mërkurës në “San Siro”, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, për të përcaktuar edhe finalisten e parë të këtij kompeticioni.
Derbi i Italisë në Kupë përfundoi në barazim 1-1 në ndeshjen e parë në Torino dhe pikërisht nga ky rezultat, dy skuadrat do të nisen për të synuar një vend në finale, në supersfidën që do të transmetohet ekskluzivisht në SuperSport.
Interi dhe Juventusi janë të shquara për rivalitetin e madh që prodhojnë sa herë që vihen përballë, teksa vlen të theksohet se kjo sfidë është edhe më e luajtura në historinë e Kupës së Italisë.
Dy skuadrat janë përballur me njëra-tjetrën plot 35 herë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në Itali, teksa Interi numëron 11 fitore, Juventusi 15 dhe 9 ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Gjithsesi vlen të theksohet se në 11 ndeshjet e fundit në Kupën e Italisë, Interi nuk ka humbur asnjë, duke fituar 5 dhe barazuar 6 të tjera. Megjithatë statistikat vlejnë pak, sepse duke nisur nga ora 21:00 e të mërkurës, dy skuadrat do të përpiqen të marrin fitoren, që do t’i çonte në finalen e kompeticionit.
Top Channel