Inside Story/ Fermerja që theu tabutë: Nuk bezdisem që më thonë “Gerta e dhive”

26/04/2023 21:59

“Kur jeton jashtë, ti je një njëri me dy atdhe pa atdhe, ti je një njeri që je me shpirtin në valixhe”, u shpreh fermerja Gerta Loku Tushaj.

10 vite më parë, Gerta së bashku me bashkëshortin Leonardin, vendosi të kthehej e të jetonin në fshatin e bashkëshortit të saj në Rrushkull të Mirditës. Me një diplomë në xhep për komunikim dhe marrdhënie ndërkombëtare” të një prej universiteteve më prestigjoze në botë “La Sapienza”, të dy braktisën punët komode në Europë për të ndërtuar një fermë dhish në tokën e gjyshërve.

“Fillimisht ka qenë një vendim që na erdhi në mënyrë natyrale, sepse nëse ne vendosëm të lëmë perëndimin dhe të gjitha komiditetet, vendosëm të kthehemi këtu si diçka natyrale. Ta duash këtë vend është një ndjesi që të vjen në mënyrë natyrale dhe shpirtërore”, tha Gerta.

Të vendosur në majë të një kodre, ajo kujton se kur vendosën të ktheheshin e të jetonin pikërisht këtu ajo ishte e pabanuar. Edhe sot, ata kanë një shtëpi modeste, pasi kursimet që kishin krijuar i investuan për të ndërtuar stallën e dhive.

“Gjëja e parë që kemi bërë, nuk ka qenë shtëpia, sepse në momentin që kemi vendos të kthehemi në Shqipëri ne kemi menduar si të punojmë jo se si të jetojmë në kuptimin jo se sa komodë do të jemi, por si ta bëjmë të mundur që komiditetin ta ndërtojmë ditë pas dite në shtëpi”, u shpreh Gerta.

Të ndërtosh jetën në këtë zonë të thellë nuk ka qenë aspak e lehtë. Sot ajo thotë se nuk ndjen aspak bezdi që i thonë “Gerta e dhive”. Ajo thotë se ndihet Gerta e punës e më së shumti betejën e ka me mentalitetin e zonës.

“Beteja e parë që më është dashur të bëj këtu është mentaliteti. Sepse të vish me një “kalë shkollë”, siç ma thonë edhe gjyshërit, dhe të futesh mes dhive ishte e pakonceptueshme. Dhe të dalësh e të thuash Gerta e dhive për mua nuk është aspak ofendim, madje është privilegj sepse

Gerta është e punës, nuk është e gjërave që nuk ekzistojnë”, u shpreh ajo.

Kur kanë kaluar më shumë se një dekadë kur ajo la perëndimin, çifti Tushaj, ndjejnë se kanë marrë vendimin e duhur. Ata mendojnë se po i rrisin dy vajzat e tyre në vendin e duhur, në atdhe.

“Kjo ka qenë zgjedhja jonë e parë, nuk ka pasur një plan B. Ky është plani A i familjes Tushaj dhe e kemi zgjedhur dhe përderisa e kemi zgjedhur, ndoshta në atë logjikën tonë të pakuptueshme ky është vendi më i mirë në botë dhe pikërisht në kohën kur të gjithë mënyjnë Tiranën apo perëndimin ne rrisim dy fëmijët tanë këtu”, tha Gerta Tushaj.

Të dy të rritur në qytet dhe me asnjë ditë eksperiencë me punët e fshatit, Gerta dhe Leonradi vendosën të sfidojnë çdo pengesë e të mësojnë çdo ditë nga pak. Sot fshati Rrushkull pothuajse është braktisur dhe familja e re Tushaj është ndër të paktat që kanë mbetur.

Të ngecur në lakun e keqqeverisjes dhe politikave të gabuara të ndërmarra tre dekadat e demokracisë nga të gjitha qeveritë, Gerta thotë se një pjesë të fajit e kanë edhe vetë shqiptarët që pranojë të bëhen argatë kudo në botë, por e shpërfillin punën në tokën e tyre.

Top Channel