Analistët izraelitë paralajmërojnë për tensionet në rritje me Iranin

26/04/2023 16:33

Në një kohë kur një Izrael thellësisht i ndarë po shënon 75 vjetorin e tij, analistët thonë se Irani po forcohet në Lindjen e Mesme dhe mund të kërcënojë Izraelin në disa fronte.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein nga Jerusalemi, Teherani po përpiqet të përfitojë nga situata në Izrael.

Izraeli është goditur nga përçarje të brendshme dhe protesta masive kundër ndryshimeve në gjyqësor që synon qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Analistët thonë se Irani dhe forcat e lidhura me të në rajon, i shohin trazirat e brendshme të Izraelit si një shenjë dobësie.

“Protestuesit dhe theksoj se më shumë se demonstratat është kërcënimi i disa oficerëve rezervë dhe pilotëve në Izrael që të mos paraqiten nëse thirren, i dhanë palës tjetër përshtypjen se Izraeli po rrëzohet”, thotë për Zërin e Amerikës ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare izraelite, Yaakov Amidror.

Pas përleshjeve midis ushtarëve izraelitë dhe besimtarëve palestinezë në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit gjatë Ramazanit, dhjetëra raketa u hodhën drejt Izraelit. Zyrtarët izraelitë thonë se sulmi me raketa nga Libani në veri dhe Gaza në jug u orkestrua nga Irani.

Udhëheqësit e vijës së ashpër të Iranit, karakterizuar si “Regjimi i Mullahëve” nga disa analistë izraelitë, kanë vendosur kohët e fundit lidhje me ish-kundërshtarë si Arabia Saudite dhe Hamasi palestinez, në mënyrë që të konsolidojnë aleancat rajonale kundër Izraelit.

“Regjimi i Mullahëve, në kohën e duhur, në rrethanat e duhura, në kushtet e duhura, do të nisë atë që njihet në perspektivën ushtarake si luftë nga shumë fronte kundër Izraelit. Do të thotë se Izraeli mund të përballet njëkohësisht me një sulm masiv të kryer nga përfaqësues iranianë nga arena të ndryshme. Shumica e tyre rrethojnë Izraelin, si Libani, Siria, Rripi i Gazës dhe ndoshta disa aktorë të tjerë më të largët. Ky është një koncept që njihet në perspektivën e sigurisë strategjike izraelite si ‘Unaza e Zjarrit’”, thotë për Zërin e Amerikës analisti i inteligjencës strategjike, Avi Melamed.

Ndërsa Irani forcon aftësitë e tij konvencionale dhe armatos përfaqësuesit e tij rajonalë, ai po zhvillon gjithashtu aftësitë bërthamore. Zyrtarët izraelitë besojnë se brenda disa javësh Irani mund të ketë material bërthamor të mjaftueshëm për një bombë.

“Unë mendoj se Irani është shumë pranë sigurimit të një bombe dhe aftësisë për të prodhuar një bombë dhe mendoj se ky është një kërcënim i madh për Izraelin. Megjithatë, nuk parashikoj që Irani ta përdorë bombën. Mendoj se arsyeja për të pasur një bombë është kryesisht për parandalim. Unë mendoj se Irani është një aktor racional. Irani ka treguar për katër dekada që nga Revolucioni se interesat, politika shtetërore, janë po aq të rëndësishme për të sa edhe ideologjia”, thotë për Zërin e Amerikës Elisheva Machlis, eksperte për Iranin në Universitetin Bar-Ilan.

Zyrtarët izraelitë shtrojnë pyetjen nëse një Iran bërthamor do të paraqiste një kërcënim ekzistencial. Por ata thonë se Izraeli është i përgatitur të mbrohet kundër çdo sulmi bërthamor ose konvencional që vjen nga Irani dhe përfaqësuesit e tij rajonalë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA