Kandidati i PS për Tiranën Erion Veliaj u takua me banorët e njësisë nr.4 nga ku tha se zona e njohur si ‘Bregu i Lumit’, sot është kartolina më e bukur, që tregon se çfarë mund të bëjnë socialistët kur vihen në krye të punëve. 

“Ishim në opozitë në 2015-ën kur e filluam fushatën dhe si pjesë e fushatës sonë vajtëm të mblidhnim plehrat përballë Fakultetit të Mjekësisë, se në këtë qytet nuk pastrohej asgjë. Sot sikur tre minuta të vonohet makina e plehrave, bëhet nami, dhe me të drejtë sepse e kemi ngritur stekën. Nuk na pengoi të qenit në opozitë që të pastronim, nuk na pengoi të ishim në opozitë të mbillnim pemë. Ne edhe në opozitë mbillnim pemë, edhe tani mbjellim pemë se kemi vendosur të mbjellim pastërti, gjelbërim dhe oksigjen. Jo sherr, jo ndasi, jo përçarje”,

Veliaj u ndal dhe tek  koalicioni i çiftit Berisha-Meta, dhe tha se teksa të gjitha sondazhet e shpallin Partinë Socialiste fituese, për Ilir Metën thonë se është njeriu më i urryer në Shqipëri.

“Është bashkuar Saliu me fuksin e lagjes, me sigurimsin, me atë 2-lekëshin që spiunonte njerëzit kur vinin antena, spiunonte shokët kur shanin te radha e tollonit. Të gjitha sondazhet për Ilir Metën thonë që është njeriu më i urryer sot. Dhe për sa kohë që janë bërë bashkë njerëzit që i kanë bërë më shumë keq Shqipërisë, sot edhe demokratët duhet të bashkohen me ne për të shkuar vetëm përpara”.

Kandidati i PS-së për Tiranën  falenderoi demokratët që kanë zgjedhur t’i bashkohen Partisë Socialiste, sepse e kanë kuptuar që familja është gjëja më e rëndësishme.

“Kam qenë disa herë në lagje dhe kam takuar shumë demokratë, të cilët ndoshta nuk janë gati të dalin në kamera, por janë gati të votojnë Partinë Socialiste sepse e kanë kuptuar që familja është gjëja më e rëndësishme. Ndihmohen të majtë dhe të djathtë, e kemi kokën lart t’i shohim në sy dhe t’i themi: Eja në familjen tonë, bashkohu me ne, që të punojmë dhe të ecim përpara, të mos kthehemi më mbrapa”.

Top Channel