Tensione të larta në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të udhëhequr nga Rusia

25/04/2023 08:13

Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i drejtuar nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, u shoqërua të hënën me përçarje dhe shkëmbime akuzash lidhur me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.

Rusia mban presidencën e rradhës të këshillit 15 anëtarësh këtë muaj. Para se të hynin në takim për të diskutuar temën e zgjedhur të Moskës për “multilateralizmin efektiv përmes mbrojtjes së parimeve të Kartës së OKB-së”, vendet perëndimore denoncuan luftën e Kremlinit ndaj Ukrainës dhe hipokrizinë e tij në zgjedhjen e temës së takimit.

“Duke organizuar këtë debat, Rusia po përpiqet ta portretizojë veten si një mbrojtëse e Kartës së OKB-së dhe multilateralizmit”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian Olaf Skoog, i rrethuar nga të dërguarit e 27 vendeve të BE-së. “Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Është cinike. Të gjithë e dimë se ndërsa Rusia po shkatërron, ne po ndërtojmë. Ndërsa ata e shkelin, ne e mbrojmë. Karta e OKB-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, GJND-ja [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë], GJNP [Gjykata Penale Ndërkombëtare] – ngado që shikoni, Rusia është duke bërë shkelje”, shtoi ai.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e rrethuar nga homologët nga Kandaja dhe Irlanda, u tha gazetarëve se Rusia ka shkelur në mënyrë të përsëritur të drejtat universale të njeriut dhe liritë themelore, brenda dhe jashtë vendit.

Ajo shoqërohej nga motra e amerikanit Paul Whelan, i cili u arrestua nën akuzat për spiunazh gjatë një vizite në Moskë. Ai është në paraburgim në Rusi që nga dhjetori i vitit 2018.

“Paul Whelan nuk ka kryer asnjë krim, por është kryer një krim ndaj tij”, tha për gazetarët motra e tij Elizabeth Whelan.

Ajo tha se vëllai i saj është një “viktimë e përdorur” nga Rusia në kuadër të strategjisë së saj për të arrestuar qytetarë amerikanë dhe për të përfituar diçka nga Uashingtoni në këmbim të lirimit të tyre.

“Kjo nuk është punë e një vendi të matur dhe të përgjegjshëm, por veprim i një shteti terrorist”, tha Elizabeth Whelan. “Paul-i ishte i pari në një valë arrestimesh të paligjshme nga Rusia. Së pari, vëllai im Paul Whelan, pastaj Trevor Reed, të dy turistë, basketbollistja Brittney Griner, dhe tani gazetari Evan Gershkovich”, tha ajo.

Trevor Reed u lirua në prill 2022 dhe Brittney Griner në dhjetor. Të dy ishin pjesë e shkëmbimeve të të burgosurve midis Moskës dhe Uashingtonit. Gershkovich ishte në Rusi si korrespondent në Moskë i gazetës amerikane Wall Street Journal kur u arrestua më 29 mars gjatë një udhëtimi pune dhe u akuzua për spiunazh.

Brenda dhomës së Këshillit të Sigurimit, ministri i jashtëm rus u ankua se gazetarët rusë që kishin aplikuar për të mbuluar udhëtimin e tij në Nju Jork morën vizat e tyre amerikane pasi ishte ngritur avioni i tij, dhe ai u bëri thirrje drejtpërdrejt gazetarëve që ta mbulonin takimin.

“Pra, unë kërkoj, insistoj, që të kompensoni mungesën e gazetarëve rusë”, tha zoti Lavrov. “Përpiquni ta bëni raportimin tuaj objektiv në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të ketë një pasqyrë objektive, të vërtetë dhe shumëpalëshe në vlerësimet tuaja dhe në faktet e dhëna.”

Zoti Lavrov u ul pranë Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres ndërsa shefi i OKB-së dënoi luftën e Kremlinit në Ukrainë.

“Sulmi rus ndaj Ukrainës është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar, po shkakton vuajtje dhe shkatërrime masive për vendin dhe popullin e tij dhe po shton nivelin e zhvendosjes së njerëzve për arsye ekonomike në nivel global, të shkaktuar nga pandemia COVID-19”, tha zoti Guterres.

Duke iu kthyer temës së debatit, multilateralizmi efektiv, shefi i OKB-së tha se duhet të ketë bashkëpunim më të mirë për të forcuar institucionet shumëpalëshe.

“Anëtarët e këtij këshilli, veçanërisht vendet që gëzojnë privilegjin e statusit të anëtarit të përhershëm, kanë një përgjegjësi të veçantë për të kontribuar në funksionimin e multilateralizmit, në vend që të kontribuojnë në shkatërrimin e tij”, tha zoti Guterres. Rusia është ndër pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, i cili përbëhet nga 15 vende, së bashku me Britaninë, Kinën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Komentet e zotit Lavrov zgjatën për gati 25 minuta dhe prekën një numër temash të njohura nganjëherë jokoherente. Ai tha se Rusia po lufton nazistët në Ukrainë, NATO është një kërcënim për Rusinë, sanksionet e perëndimit ndaj Rusisë janë të paligjshme, perëndimi kurrë nuk synonte të zbatonte Marrëveshjet e Minskut, por vetëm donte të fitonte kohë për të armatosur Ukrainën.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara donin “të shfrytëzonin regjimin haptazi racist” në Kiev me shpresën për të dobësuar Rusinë dhe për të eliminuar konkurrentët e saj.

“Është e qartë për të gjithë, edhe pse jo të gjithë flasin për këtë, se kjo nuk ka të bëjë fare me Ukrainën”, tha zoti Lavrov. “Kjo ka të bëjë me mënyrën sesi marrëdhëniet ndërkombëtare do të vazhdojnë të formësohen përmes vendosjes së një konsensusi të shëndoshë mbi bazën e ekuilibrit të interesave ose përmes avancimit agresiv dhe të paqëndrueshëm të hegjemonisë së Uashingtonit”.

Ndonëse ishte një mbledhje e nivelit të ministrave të jashtëm, nga 15 anëtarët e këshillit, vetëm Gaboni dhe Gana dërguan zëvendësministrat e tyre të jashtëm dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dërguan një ministër shteti. Shumica e vendeve të tjera anëtare ishin të përfaqësuar në nivel ambasadori.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Sekretari i Përgjithshëm Guterres u takuan të hënën pasdite për diskutime private që zgjatën gati një orë e gjysmë.

Takimi i tyre vjen vetëm disa javë përpara afatit të 18 majit që Rusia i ka caktuar OKB-së për të përmbushur kushtet e saj për zgjatjen e marrëveshjes për eksportet e drithit ukrainas dhe plehrave ruse përmes Detit të Zi. Moska është ankuar prej muajsh se nuk po përfiton nga marrëveshja nëntëmujore.

OKB-ja tha përmes një deklarate për takimin se Sekretari i Përgjithshëm i dha zotit Lavrov një letër për Presidentin Vladimir Putin mbi “zgjerimin dhe përmirësimin” e marrëveshjes për eksportin e drithit. OKB-ja tha se propozimi merr parasysh qëndrimet e shprehura nga palët dhe rreziqet që vijnë nga pasiguria ushqimore globale, si dhe një “raport të detajuar” mbi përparimin e arritur tashmë në trajtimin e shqetësimeve të Moskës në lidhje me dërgesat e saj të ushqimit dhe plehrave.

Një letër e ngjashme do t’u dërgohet zyrtarëve ukrainas dhe atyre turq. Turqia është një nga nënshkrueset e marrëveshjes së grurit dhe anijet që udhëtojnë nga Ukraina kalojnë përmes ngushticës së Bosforit dhe inspektohen nga një ekip i përbashkët në Stamboll. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA