Një sulm i ushtrisë ruse me raketa në një muze në qytetin lindor të Ukrainës, Kupjansk, vrau së paku dy persona dhe plagosi 10 të tjerë.
Kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Harkivit, Oleh Synyehubov, i tha Radios Evropa e Lirë se sulmi i 25 prillit në qendër të qytetit Kupjansk përfshinte raketa të llojit S-300 – njëra prej të cilave goditi Muzeun e Historisë Lokale.
Synyehubov tha se operacioni i kërkim-shpëtimit është duke vazhduar.
“Vendi terrorist po bën gjithçka për të na shkatërruar plotësisht. Historinë tonë, kulturën tonë, popullin tonë. Vrasje e ukrainasve me metoda absolutisht barbare”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ne duhet dhe do të përgjigjemi”, shtoi ai.
Në një tjetër zhvillim, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, i përshkroi luftimet e vazhdueshme në qytetin e Bahmutit si një “proces dinamik”.
“Ne mund t’i humbasim pozicionet në betejë sot, dhe t’i rifitojmë ato të nesërmen. Kjo është arsyeja përse ushtria do të flasë për rezultatin pasi të përfundojë operacioni”, tha Malyar.
Komentet e saj vijnë një ditë pasi komandantët ukrainas mohuan pretendimet se mercenarët e grupit rus, Wagner, kontrollojnë pothuajse plotësisht qytetin.
Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, paralajmëroi se forcat ruse mund t’i shtojnë sulmet sapo të fillojë ngrohja e motit.
“Ne e dimë se në pranverë, kur moti përmirësohet – dhe ai tashmë ka filluar të përmirësohet – mund të presim që rusët të nisin ofensiva të reja në disa zona”, tha Kirby.
Bahmuti është skenë e luftimeve të ashpra tash e sa muaj.
Top Channel