Schmidt u bën thirrje politikanëve në Bosnje të gjejnë zgjidhje për çështjen e pronave

25/04/2023 17:47

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, sërish u ka bërë thirrje politikanë lokalë që të zgjidhin mospajtimet sa i përket pronës shtetërore.

Këto thirrje vijnë në kohën kur po vazhdojnë pretendimet e serbëve etnikë që këto prona i takojnë dy entiteteve të shtetit dhe jo shtetit të Bosnjës. Republika Sërpska, entiteti serb që së bashku me Federatën boshnjake-kroate përbëjnë shtetin e Bosnjës, ka tentuar disa herë që të zbatojë Ligjin për pronën, që do t’i mundësonte transferimin e pronës së shtetit në juridiksionin e saj, pavarësisht se një veprim i tillë është cilësuar si jokushtetues.

Marrëveshja e Dejtonit, e vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnje, themeloi një sistem administrativ sipas të cilit, Bosnja ndahet në Republikën Sërpska dhe Federatën boshnjake-kroate, që lidhen përmes një qeverie të dobët qendrore. Republika Sërpska ka thënë se Ligji për pronën synon të sigurojë që aseset që gjenden në territorin e këtij entiteti, përfshirë qeveritë lokale, kompanitë publike, institucionet publike dhe departamentet e tjera, t’i përkasin entitetit serb.

Por, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka deklaruar se Parlamenti kombëtar duhet të miratojë një ligj për pronën, që do të ishte i vlefshëm në mbarë Bosnjën, e jo vetëm në një prej dy entiteteve. Më 25 prill, Schmidt theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, të obligueshme dhe duhet të zbatohen, pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës është pjesë integrale e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

“Pretendimet [e serbëve etnikë] se çështja e pronësisë të pronave shtetërore veçse është vendosur në Marrëveshjen e Dejtonit, nuk janë të vërteta. Kjo është një çështje që ende kërkon zgjidhje në këtë shtet. Prandaj, mesazhi është i thjesht: politikanë të Bosnjës, bëni punën tuaj”, tha Schmidt.

Politikanët serbë etnikë më 24 prill nënshkruan një deklaratë që thoshte se shteti i Bosnjës nuk ka në pronësi territor, por vetëm kufij të jashtëm, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Zyra e Prokurorit janë jokushtetuese dhe të paligjshme dhe se Republika Sërpska do të marrë të gjitha kompetencat “që nuk janë të përcaktuara drejtpërdrejtë nga Kushtetuta e shtetit”. Schmidt tha se ka nevojë për negociata në nivelin teknik dhe ligjor për të lëvizur përpara drejt zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të pranueshme lidhur me mospajtimet mes shtetet dhe etnive sa i përket aseteve.

Në përgjigje të kërcënimeve të vazhdueshme nga lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, se Republika Sërpska do të largohet nga Bosnja nëse çështja e pronës nuk zgjidhet në favor të saj, Schmidt përsëriti se entitete nuk kanë të drejtë të shkëputen, pasi që ato ekzistojnë vetëm në bazë të Kushtetutës që është përpiluar në Marrëveshjen e Dejtonit.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnje e Hercegovinës nuk vihen në pikëpyetje dhe unë hedh poshtë të gjitha aktivitetet e papërgjegjshme që bëhen në këtë drejtim”, tha Schmidt.

Ai shtoi se nuk mund të vendosen kufij e as pengesa brenda Bosnjës dhe se çdo kufizim i lirisë së lëvizjes është i papranueshëm./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA