Presidenti Begaj niset të mërkurën për një vizitë shtetërore në Kroaci

25/04/2023 12:38

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të niset të mërkurën për një vizitë shtetërore në Zagreb, në kuadër të intensifimit të partneritet strategjik me Republikën e Kroacisë. Vizita do të zhvillohet me ftesë të Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Presidenti Begaj do të mirëpritet sipas ceremonive të nderit dhe të mirëseardhjes, ditën e enjte, më 27 prill 2023, për të vijuar axhendën zyrtare të bisedimeve me Presidentin e Kroacisë, duke u fokusuar tek marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi rajonal, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, si dhe zhvillimet e tjera me ndikim në çështjet e paqes dhe sigurisë.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Begaj do të pritet në takime të veçanta më 27 prill nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrakoviç.

Gjatë qëndrimit në Kroaci, kreu i shtetit do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

Më 28 prill 2023, nën shoqërinë e mikpritësit, Presidentit të Kroacisë Milanoviç, Begaj do të vizitojë e takohet me Arbanasit e Zarës (Zadarit). Aktivitetet që shënon vizita shtetërore e Presidentit Begaj dhe e delegacionit që e shoqëron, mbyllet, ditën e premte, më 28 prill 2023.

Top Channel