‘Ndjehem e përdhunuar’/ Gjashtë gra në Barcelonë padisin për lidhjet me policin e infiltruar me aktivistet (fotot)

25/04/2023 17:29

Padia e të rejave ngrihet ndaj ministrisë së brendshme të Spanjës, që dërgoi policin duke u infiltruar si ‘anarkist’, mes aktivistëve të pavarësisë së Katalonjës.

Herën e parë që ai erdhi në zonën e njohur antikapitaliste La Cinètika të Barcelonës, ishte në mesin e vitit 2020. Miqësor dhe i komunikueshëm, ai prezantonte veten si Dani, i ardhur në qytet si teknik kondicionerësh.

Brenda dy viteve ai u bë një nga fytyrat më të njohura të skenës anarkiste të qytetit, duke u përballur me policë në protesta dhe duke bërë biseda të ndezura në sheshin e qytetit.

Ndërkohë ai kishte krijuar lidhje intime me të paktën tetë vajza të zonës.

Deri për njëfarë kohe, burri me flokë në stil ‘mohawk’, me një koleksion bluzash me slogane anti-fashiste dhe një tatuazh “kaosi” në gju, ruajti fasadën e tij, para se të mësohej se ishte një polic i infiltruar nga Madridi te aktivistët.

Gjashtë gra që u përfshinë emocionalisht me të gjatë asaj kohe po padisin eprorët e policisë kombëtare të “gjarprit” të infiltruar, me akuza abuzimi seksual, trajtim çnjerëzor, shkelje të privatësisë dhe të të drejtave themelore.

“Ndjehem e përdhunuar,” tha një prej akuzueseve për rrjetin vendas La Directa në Barcelonë, që publikoi i pari akuzat: “Kam qenë me dikë që tani po kuptoj se nuk e njihja fare kush ishte, dhe kjo më tmerron”.

Akuzat vijnë pas gati një vit kur ai ndërpreu papritur lidhjen, duke e lënë gruan në ankth, neveri dhe frikë. “Sikur ta dija që ishte polic nuk do të kisha shkuar kurë me të”, shton gruaja.

Policia spanjolle dhe ministria e brendshme ende nuk janë prononcuar për akuzat, megjithë kërkesat e rrjetit britanik The Guardian.

Por burime policore në vend kanë konfirmuar se Dani është vërtet një oficer i infiltruar policie, dhe kanë bërë lidhjen mes tij dhe një divizioni të inteligjencës.

Akuzat e abuzimit seksual kanë të bëjnë me cështjen se gratë nuk mund të jepnin pranimin e tyre seksual për këtë person që ishte dikush tjetër nga sa thoshte, argumenton Sònia Olivella, avokatja që përfaqëson gratë akuzuese.

“Kemi të bëjmë me një person me identitet të rremë, ndërsa gratë pranonin të shkonin me të pasi nuk dinin se ishte një marrëdhënie mes aktivisteve dhe një zyrtari shtetëror që ishte duke zbatuar urdhra”.

Ligji në Spanjë lejon infiltrimin e policëve në grupet e organizuara kriminale, por jo si në këtë rast, me lëvizje aktivistësh të të drejtave të njeriut, të punëtorëve apo dhe grupe anarkisë.

Akuzat nisën të dalin në sipërfaqe pas zbulimit të programit të spiunazhit Pegasus që ishte përdorur ndaj më shumë se 60 aktivistëve të pavarësisë së Katalonjës nga Madridi.

“Këto praktika janë të lidhura me njëra-tjetrën,” thotë Olivella.

Teksa gratë në Barcelona presin të dëgjojnë nëse gjykata do të pranojë padinë, zhvillimet po ndiqen nga afër në Britani, ku është krijuar një grup Police Spies out of Lives, që përfaqëson gra të gënjyera nga policë të infiltruar, shkruan The Guardian.

FOTO GALERI
3/3
Ligji në Spanjë lejon infiltrimin e policëve në grupet e organizuara kriminale, por jo si në këtë rast, me lëvizje aktivistësh të të drejtave të njeriut apo të punëtorëve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA