Meloni i bashkohet homazheve përkujtimore në Ditën e Çlirimit të Italisë (fotot)

25/04/2023 16:51

Kryeministrja e djathtë italiane Giorgia Meloni mori pjesë sot në ceremonitë e vendosjes së kurorave për Ditën Kombëtare të Çlirimit të Italisë nga pushtimi nazist dhe fashist në 1945.

Zakonisht Dita e Çlirimit është një ditë feste e celebruar me parada, por këtë vit është shoqëruar me debate prej akuzave të së majtës italiane, se partia e djathtë në pushtet ka origjinë të lidhur me të djathtën radikale.

Mes celebrimeve sot në Romë, rrjeti BBC shkruan se merrte pjesë dhe kryetari Senatit, Ignazio La Russa, i akuzuar si koleksionist i objekteve përkujtimore fashiste.

Më herët ai ka thënë se nuk do të heqë kurrë dorë nga busti i tij i Mussolinit, pasi është një dhuratë nga i ati, shkruan rrjeti britanik.

Duke bërë thirrje që dita të jetë një “celebrim i lirisë”, kryeministrija Meloni shkruante sot se “rezultati themelor i 25 prillit ishte konfirmimi i vlerave demokratike që ishin nëpërkëmbur nga fashizmi, të cilat mbrohen tashmë në kushtetutën republikane të vendit.”

Por më tej ajo dënoi të majtën PD se po përdorte justifikimin e fashizmit si një gjueti shtrigash ndaj kundërshtarëve të tyre të djathtë, ose si një armë “përjashtimi masiv”.

Megjithëse Meloni erdhi në pushtet me votat e rebelimi të italianëve, ajo ka surprizuar me zbutje të qëndrimit ndaj aleatëve evropianë për shumë çështje, që prej buxhetit të Italisë, deri te mbështetja për NATO-n dhe Ukrainën.

Dita italiane e Çlirimit shënon gjithashtu fitoren e lëvizjes së partizanëve italianë që luftuan ndaj regjimit fashist.

Shoqata kombëtare e partizanëve italiane kritikoi Meloni për mospërmendjen e disa masakrave ndaj italianëve, ushtarakë e civilë të kryera nga forcat gjermane në vitin 1944, kryesisht në Italinë qendrore.

Teksa luhej sot himni kombëtar, kryeministrja dhe kreu i Senatit u bashkuan me presidentin  Mattarella në monumentin ‘Altare della Patria’ në Romë, për të nderuar mijëra të vdekurit gjatë luftës.

FOTO GALERI
1/7
Zakonisht Dita e Çlirimit është një ditë feste e celebruar me parada, por këtë vit është shoqëruar me debate

Top Channel