Kriza e Haitit: Një turmë njerëzish djeg për vdekje anëtarët e bande kriminale

25/04/2023 09:47

Një grup prej 13 anëtarësh të dyshuar të bandës janë rrahur dhe djegur për vdekje nga një turmë në kryeqytetin e Haitit, pasi u kapën ndërsa policia po kontrollonte automjetin e tyre.

Të dyshuarit thuhet se janë rrahur me goma të njomura me benzinë, përpara se të digjen në Port-au-Prince të hënën. Policia nuk ka shpjeguar se si turma me njerëz i kanë kapur të dyshuarit.

Haiti është përfshirë në paligjshmëri në rritje që nga vrasja e Presidentit Jovenel Moïse në korrik 2021. Kombet e Bashkuara thanë në një raport të publikuar të hënën se pasiguria në kryeqytet, ka arritur nivele të ngjashme me vendet në luftë.

“Bandat e armatosura vazhdojnë të konkurrojnë për të zgjeruar kontrollin e tyre territorial dhe se përleshjet me policinë dhe bandat rivale janë bërë më të dhunshme dhe më të shpeshta, duke marrë jetën e shumë civilëve”, sipas Kombeve të Bashkuara.

Dhuna e bandave çoi në vdekjen e afro 70 personave, duke përfshirë 18 gra dhe dy fëmijë, vetëm nga 14 deri në 19 prill, sipas OKB-së.

Shumë shkolla dhe qendra shëndetësore janë detyruar të mbyllen dhe dhuna ka ndikuar gjithashtu në aksesin në shumë mallra dhe shërbime.

“Populli i Haitit vazhdon të vuajë një nga krizat më të këqija të të drejtave të njeriut në dekada dhe një emergjencë të madhe humanitare”, thuhet në raport.

Që nga vrasja e Moïse, kombi i Karaibeve është udhëhequr nga kryeministri Ariel Henry, i cili nuk ka arritur të frenojë bandat që tani kontrollojnë rreth 60% të kryeqytetit.

Kryeministri Henry dhe zyrtarët e OKB-së kanë kërkuar vazhdimisht vendosjen e një force ndërkombëtare për të ndihmuar policinë në luftën e saj kundër bandave kriminale.

Deri më tani, asnjë vend nuk është ofruar për të udhëhequr një forcë të tillë. Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të bindin Kanadanë për të marrë këtë rol, por kryeministri Justin Trudeau deri më tani ka rezistuar.

Henry ka thënë se është thelbësore për të ofruar siguri në mënyrë që të mund të mbahen zgjedhjet e shtyra prej kohësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA