Presidenti Joe Biden tha të hënën se përpjekja e Dhomës së Përfaqësuesve në Tenesi për të përjashtuar tre anëtarë të saj për shkak të protestave është “tronditës dhe jodemokratik”.
Presidenti Biden dhe nën presidentja Kamala Harris u takuan në Shtëpinë e Bardhë me tre ligjvënësit e shtetit që u përballën me pushim nga puna për pjesëmarrje në protestat për kufizim të armëmbajtjes.
Dy ligjvënës të shtetit, Justin Jones dhe Justin Pearson, u përjashtuan, por më vonë u riemëruan në të njejtat posete nga rajonet e tyre, ndërsa ligjvënësja e tretë, Gloria Johnson, i mbijetoi ngushtë një votimi për përjashtimin e saj në fillim të këtij muaji.
Pas takimit, zoti Pearson tha se grupi mbështet mbajtjen e një seance speciale në të ardhmen, ku legjislatura e shtetit do të trajtonte temën e kontrollit të armëve.
Mbajtja e seancës u njoftua të premten nga guvernatori republikan Bill Lee, i cili tha përmes një deklarate se synimi i seancës do të jetë “miratimi i ligjeve që do të forcojnë sigurinë publike dhe do të mbrojnë të drejtat kushtetuese”.
Ligjvënësi Jones u tha gazetarëve se lëvizja që ata përfaqësojnë dëshiron të nxisë shtetet jugore për të miratuar ligje të logjikshme për armët që do të ndihmonin të gjitha komunitetet.
Tre ligjvënësit iu bashkuan fëmijëve, prindërve dhe të tjerëve që protestonin në Kapitol, disa ditë pasi në një sulm me armë në një shkollë të qytetit të Nashvillit u vranë tre fëmijë nëntë vjeçarë dhe tre anëtarë të personelit të shkollës. /VOA
Top Channel