Forcat ruse kanë kryer më shumë valë sulmesh në Bahmut në ditën e kaluar, por asnjëra palë nuk ka arritur të bëjë përparim kritik, tha ushtria ukrainase më 25 prill.

Beteja për kontrollin e Bahmutit, qytet që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, po vazhdon që disa muaj.

“Luftimet e ashpra po vazhdojnë për qytetin e Bahmutit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportimin ditor, duke shtuar se ofensiva kryesore e Moskës vazhdon të jetë e përqendruar në vijën e frontit në Bahmut, Avdijivka dhe Marjinka.

Forcat ruse kanë kryer 62 sulme ajrore dhe gjashtë sulme me raketa kundër pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe objektivëve civilë, tha Shtabi i Përgjithshëm.

Mbrojtësit ukrainas po ashtu kanë zmbrapsur 43 sulme ruse në Bahmut dhe Marijinka, tha ushtria ukrainase.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, ndërkaq i përshkroi luftimet në Bahmut si një “proces i vazhdueshëm dinamik”.

Ajo shkroi në Telegram më 25 prill se “ne mund të humbin pozicione në betejë sot dhe t’i rikthejmë ato nesër. Prandaj, ushtria preferon të flasë për rezultatet pasi të ketë mbaruar operacioni”.

Deklaratat e Malyar vijnë një ditë pasi komandantët ukrainas hodhën poshtë pretendimet ruse se mercenarët e Grupit Wagner kontrollojnë pothuajse të gjithë qytetin e Bahmutit.

Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, paralajmëroi se forcat ruse mund të intensifikojnë veprimet e tyre ofensive pasi moti të nisë të ngrohet.

“Ne e dimë se në pranverë, kur kushtet atmosferike përmirësohen – që veçse kanë nisur të përmirësohen – ne mund të presim që rusët të kryejnë ofensiva në disa zona. Ne nuk e dimë saktë ku dhe si do ta bëjnë, por ne duam të sigurohemi që ukrainasit të jenë në gjendje të mbrojnë veten më mirë kundër tyre”, tha Kirby për Zërin e Amerikës më 24 prill.

Në të njëjtën kohë, shtoi Kirby, nëse forcat ukrainase vendosin të kryejnë kundërofensivën e tyre, ato duhet të kenë aftësitë e përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë.

Ekspertët ushtarakë kanë raportuar – dhe liderët ukrainas kanë lënë të kuptohet – se një kundërofensivë e madhe nga Ukraina veçse ka nisur të vihet në veprim.

Më 23 prill, disa raportime sugjeronin se ushtria ukrainase kishte kaluar lumin Dnjepër dhe kishte vendosur pozicione në bregun lindor të lumit në Ukrainën jugore.

Por, ushtria ukrainase hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur “spekulime”. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA