Shteti modern i Izraelit mbush 75 vjet.
Për shumë ky është një model suksesi. Por këtë vit ky përvjetor është më politik se kurrë. Tradicionalisht festa përkujtimore për themelimin e shtetit fillon me ndezjen e dymbëdhjetë pishtarëve në malin Herzl në Jerusalem. Këtë vit mbi festimet do të bjerë hija e protestës së qindra-mijëra izraelitëve kundër planeve të qeverisë në fushën e drejtësisë.Kjo është një nga krizat më të mëdha në historinë e trazuar të vendit.
Në thelb Izraeli lindi në krizë. Kur David Ben-Gurion shpalli shtetin e Izraelit më 14 maj 1948, banorët hebrenj të Tokës së Shenjtë gjendeshin prej muajsh në luftë civile me fqinjët e tyre arabo-palestinezë.
Për hebrenjtë shpallja e shtetit të tyre ishte si shpëtim. “Viti 1948 lidhet shumë ngushtë me vitin 1945. Pra kjo do të thotë se nga njëra anë kemi fundin e hebrenjve evropianë, i cili shënohet shumë qartë me ikonën e kohës 1945, dhe tre vjet më vonë themelimi i shtetit të Izraelit, si të thuash shpëtimin nga ky asgjësim”, tha për DW sociologu izraelit Natan Sznaider. “Themelimi i shtetit ishte si një ringjallje. Unë mendoj se kjo është një narrativë që nuk mbështetet vetëm zyrtarisht, por nga shumica e izraelitëve – me fjalë të tjera, themelimi i shtetit si një akt çlirimi pothuajse teologjik.”
Vetëm tre vjet para themelimit të Izraelit vrasja masive e paprecedentë e hebrenjve evropianë përfundoi me Shoah. Gjashtë milionë u pushkatuan, u vranë ose vdiqën në kampet gjermane të vdekjes. Por krimi i paimagjinueshëm hapi gjithashtu një dritare historike ndoshta unike. Në vitin 1947 OKB-ja, përfshirë dhe Bashkimin Sovjetik, rekomanduan një plan ndarjeje për Palestinën, e cila deri atëherë ishte ende nën mandatin britanik. Kjo parashikonte krijimin e një shteti hebre dhe një shteti arab. Pala arabe refuzoi, kurse përfaqësuesit hebrenj ranë dakord. Pasoi një luftë civile me dhunë nga të dyja palët.
Utopia e një shteti më vete
Megjithëse Holokausti ishte një moment përcaktues, ideja e një shteti hebre është shumë më e vjetër. Përfaqësuesi më i njohur i idesë sioniste është Theodor Herzl. Edhe ai nuk ishte i pari, por para tij ideja sioniste ishte ende një utopi. Në vitin 1896, nën përshtypjen e rritjes së antisemitizmit, veçanërisht në Francë, Herzl shkroi librin “Der Judenstaat” – Shteti i hebrejve – në të cilin iu përkushtua edhe ideve shumë praktike për themelimin e një shteti.
Në fillim, Herzl eksploroi edhe mundësi alternative ndaj Palestinës, por përfaqësues të tjerë të lëvizjes sioniste rebeluan që në fillim kundër kësaj ideje. Sionistët si gazetari me origjinë ukrainase Ascher Hirsch Ginsberg, i njohur gjithashtu me pseudonimin e tij Achad Ha’am, donin të ringjallnin gjuhën hebraike. Të tjerë kujtuan lidhjen mijëravjeçare midis kulturës hebraike dhe Tokës së Shenjtë. “Në këndvështrimin sionist hebrenjtë janë para së gjithash një popull, një komb, jo një fe, dhe si të tillë, si kombet e tjera, meritojnë atdheun e tyre dhe sovranitetin shtetëror,” shpjegon historiani Michael Brenner, drejtor i Qendrës për Studime për Izraelin në Universitetin Amerikan në Uashington, D.C.
Një vend, dy popuj
Pjesë të mëdha të lëvizjes sioniste e injoruan për një kohë të gjatë faktin që në territorin e Palestinës tashmë ekzistonin fshatra dhe qytete arabe, dhe jetonin me iluzionin se ishte një vend kryesisht bosh. “Problemi themelor është natyrisht që dy popuj kanë pretendime për të njëjtin vend dhe të dy kanë arsye historike për këtë pretendim”, thotë Brenner. Pas shpalljes së shtetit të Izraelit, pesë vende arabe i shpallën luftë vendit të ri. Izraeli fitoi. Si rezultat i luftës, por edhe para kësaj, rreth 700.000 palestinezë që u dëbuan dhe u larguan, hynë në narrativën palestineze si “nakba” (katastrofë).
Në vitet 1980 në Izrael u shfaq një brez i të ashtuquajturve historianëve të rinj, të cilët, siç thotë Brenner, “vunë në dyshim teoritët e shenjta që ekzistonin, pra besimet dhe teoritë themelore që kishin formësuar Izraelin zyrtar”. Kjo përfshinte, për shembull, idenë e Davidit kundër Goliathit në Luftën e Pavarësisë së vitit 1948, sipas së cilës Izraeli ishte i dobësuar kur u përball me ushtritë mbizotëruese arabe. Ose diskutimi i pasojave për banorët palestinezë, të cilëve u është kushtuar pak vëmendje për dekada.
Festime dhe demonstrata
Këtë përvjetor vendi po përballet këto ditë me demonstrata kundër reformës së drejtësisë. Prandaj “Kjo ndoshta do të jetë dita më politike e Pavarësisë në historinë e Izraelit,” thotë Sznaider. “Sepse do të ketë dy ditë të Pavarësisë në të njëjtën kohë”. Demonstruesit aktualisht po konsiderojnë mbajtjen e një ceremonie me pishtarë në Tel Aviv si një alternativë ndaj asaj në Jerusalem. Tradicionalisht festimi i Ditës së Pavarësisë në Izrael është apolitik, por ekziston frika se ceremonia e këtij viti në Jerusalem mund të përdoret për qëllime politike.
Çdo javë demonstruesit u referohen me vetëdije ideve të themeluesve të shtetit hebre: ata tundin flamurin dhe i referohen Deklaratës së Pavarësisë. Për ironi të dyja palët e shohin veten si ndjekës së traditës së themeluesve të Izraelit. Mes sionistëve ka pasur gjithmonë sionistë fetarë. Lëvizja e sotme e kolonëve në zonat e pushtuara shihet gjithashtu si një vazhdim i vendosjes së kolonëve në vitet 1920. “Ata përpiqen ta paraqesin veten si një lloj super-sionistësh që po përpiqen të plotësojnë planet e lëvizjes sioniste fillimisht laike, me prirje të majtë, social-demokrate”, thotë historiani Brenner.
Kurse demonstruesit natyrisht i shohin gjërat krejtësisht ndryshe. Ata këmbëngulin për origjinën demokratike të Izraelit, për një vend të lirë të qeverisur nga shteti ligjor për të gjithë qytetarët e tij. Ose, siç tha historiani Tom Segev në një intervistë për Spiegel: “David Ben-Gurion ndoshta do luante mendsh” nëse do ta dinte se në ç’pikë gjendet shoqëria izraelite tani.
Për historianin Michael Brenner, tani në Izrael po përplasen tensionet e vjetra që kanë ekzistuar gjithmonë brenda lëvizjes sioniste. “Unë do të thosha se shumë nga përçarjet në shoqërinë izraelite kanë ekzistuar që nga fillimi, dhe ndoshta është një mrekulli e vogël që u deshën 75 vjet që ato të shpërthenin kaq ashpër.” 75 vjet pas themelimit të shtetit Izraeli duket se po kërkon edhe origjinën e vendit të tij. /DW
Top Channel