Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Durrës nga parku i sapo përfunduar në zonën e Porto Romanos, nga ku tha se pak vite më parë gjendej një plagë e madhe e qytetit bregdetar.
Rama tha se transformimi është i dukshëm nga mbeturina që digjeshin dhe konsumoheshin nga kafshët, së shpejti do të gjallërohet nga gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë dëshirë të aktivizohen në sport, por dhe nga familje në ditët e pushimit.
“Është kënaqësi e veçantë të vij këtu sepse këtu është një pasqyrë kuptimplotë e transformimit që duam kudo, që duam për Durrësin, që duam për Shqipërinë. Këtu është një vend që deri pak vite më parë gjendej një plagë e madhe e qytetit të Durrësit, fusha e mbledhjes së plehrave prej shumë dekadash, e cila ishte kthyer në një skenë ku trupat e televizioneve të huaja vinin për të xhiruar dhe për të bërë kronika tejet të zymta për Shqipërinë.
Sot është një realitet, jo 99 por 100% ndryshe, i transformuar tërësisht, i kthyer nga një hapësirë ku kishte vetëm plehra dhe kafshë që vinin rrotull mes tymit, në një hapësirë, e cila së shpejti do të gjallërohet nga gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë dëshirë të aktivizohen në sport, por dhe nga familje në ditët e pushimit apo në orët e pasdites që do duan të kalojnë pak nga koha e tyre në një mjedis që është sa afër, aq edhe jashtë qytetit, në kuptimin që është mes gjelbërimit dhe i patrazuar nga zhurmat e makinave.
Po mbaron kolaudimi dhe Ani po përgatit të gjithë pjesën tjetër që është administrimi i kësaj hapësire, e cila ka nevojë ende për t’u lulëzuar dhe për këtë arsye jemi dhe këtu që të mbjellim disa prej pemëve që Partia Socialiste po i dhuron bashkive, duke shkurtuar shpenzimet elektorale, duke ulur përdorimin e tribunave, ekraneve, gjithë atyre mjeteve të propagandës zgjedhore, që faktikisht janë të përkohshme për t’i financuar këto pemë që aty pastaj do qëndrojnë pas shumë e shumë fushatave për t’i bërë hije tokës dhe njëkohësisht për të shtuar përmasën e gjelbër të qyteteve tona.
Besoj që nuk është e nevojshme të kemi gjithë ato mjete logjistike për t’u marrë vesh se çfarë po komunikojmë dhe unë nuk dua t’ju mbaj gjatë, dua thjesht t’ju them disa gjëra të thjeshta që lidhen drejtpërdrejtë me Durrësin dhe patjetër që lidhen drejtpërdrejtë edhe me interesin tuaj.
Kam gjithmonë frikën se kur flasim me të rinjtë dhe kur kufizohemi vetëm tek disa nga ato pjesë të punës sonë që lidhen shumë drejtpërdrejtë me ta, shkolla, palestra, aktivitetet pas shkollës, bëjmë një gabim sepse harrojmë që sot të rinjtë janë shumë më të përfshirë në atë që është realiteti i përgjithshëm i botës dhe i vendit dhe në kushtet kur globalizmi dhe produktet e tij tanimë janë të pranishëm në ekranin e celularit të çdo të riu, është bërë shumë më e vështirë për të mbyllur kornizën e komunikimit vetëm në disa çështje dhe nga ana tjetër, është bërë shumë më e vështirë për çdonjërin prej jush për të vendosur se çfarë do bëjë kur të rritet, ku do shkojë, do rrijë këtu, do ikë dhe tendenca për të menduar që është më mirë atje dhe atje do t’i gjejë gati ato që këtu do duhet t’i presë edhe për shumë vite të tjera sepse natyrisht Gjermania është Gjermani, Shqipëria është Shqipëri dhe nuk ka mundësi që të bëhet krahasimi me çfarë ofron Gjermania dhe çfarë ofron Shqipëria.
Ndërkohë që, gjërat janë pak më ndryshe në shumë aspekte. Shumëkush bën një krahasim shumë të drejtpërdrejtë sa është rroga atje dhe sa është rroga këtu, por pakkush shkon pak më tutje që po atje sa janë shpenzimet dhe sa janë këtu, sa pjesë të rrogës atje ta mban shteti, ta marrin shërbimet e tjera dhe sa pjesë të rrogës këtu ta merr shteti dhe ta marrin shërbimet e tjera? Këtu fillon ndryshon pak raporti”- tha kryeministri Edi Rama.
Top Channel