“Nuk e them emrin e skuadrës”/ Rama: Së shpejti sjellim në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit

24/04/2023 11:35

Kryeministri Edi Rama tha nga Durrësi po arrihet një marrëveshje për të sjellë një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës në Durrës.

Rama tha se Akademia do jetë një derë e hapur për talentet që do duan të provojnë veten e tyre dhe pastaj që do të zgjidhen për tu përgatitur për arenën e madhe europiane dhe për të veshur fanellat e skuadrave të mëdha europiane. Paralelisht me akademinë, Rama tha se do jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët, e cila do të jetë shumë më e gjerë.

“Unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe sidomos këtu në Durrës unë jam i bindur dhe siç shoh dritën shoh dhe të ardhmen, jo shumë të largët të Durrësit me realizimin e planeve që kemi tanimë në zbatim dhe me ato plane që kemi në vijim. Për të folur që kemi në zbatim, besoj që plani i ndërtimit në Durrës të dy porteve që kanë një fuqi transformuese, jo thjesht për Durrësin, por për të gjithë rajonin, është një plan, i cili do t’i bëjë të gjithë që të shohin me shumë më tepër optimizëm të nesërmen në këtë qytet sepse me portin turistik dhe me portin e ri tregtar këtu pranë Porto Romano do të hapet një horizont komplet tjetër, një horizont i ri edhe për punësimin, edhe për shpërblimin më të mirë në bazë të punës, edhe për shumë mundësi të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës.

Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë edhe krahun tjetër, që është ai që i takon shtetit, që ka të bëjë me infrastrukturën e shkollave, që ka të bëjë me infrastrukturën e kopshteve, çerdheve, që ka të bëjë me infrastrukturën sportive, jemi duke u negociuar dhe jemi shumë afër së bashku me Anin një marrëveshje të re për të sjellë këtu në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës dhe duam ta sjellim në Durrës si një pol të ri sportiv, si një akademi rajonale e futbollit, e cila do jetë një derë e hapur për talentet që do duan të provojnë veten e tyre dhe pastaj që do të zgjidhen për tu përgatitur për arenën e madhe europiane dhe për të veshur fanellat e skuadrave të mëdha europiane kur talenti, puna dhe vlerësimi për talentin dhe punën do të përputhen natyrisht.

Paralelisht me akademinë e futbollit do jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët, e cila do të jetë shumë më e gjerë sepse akademia do jetë një strukturë plotësisht e mbështetur tek garancia e talenteve kurse shkolla e futbollit do jetë një strukturë për shumë më tepër fëmijë dhe për të parë sesi ata zhvillohen në proces.

Ky nuk është një projekt për të cilin do presim vite, është një projekt të cilin po e negociojmë aktualisht; nuk mund të them emrin e skuadrës, por të jeni të sigurt që kur ta dëgjoni emrin do thoni “Ou është e vërtetë kjo apo është…” dhe prandaj nuk dua ta përmend emrin sepse derisa ta konkludojmë do ta mbaj veten.”- tha kryeministri Edi Rama

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA