Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR bëri thirrje për qetësi e shmangie të “retorikës dhe veprimeve përshkallëzuese mes Kosovës dhe Serbisë pas pretendimeve se serbët në veri nuk do të pajtohen me qeverisjen e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara masivisht prej tyre.

Duke kujtuar sesi procesi i votimit vetë në katër komunat me shumicë serbe kaloi pa incidente, KFOR kujton se gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesit dhe ka monitoruar situatën në terren.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas rezultateve paraprake, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Ndërkohë, të gjitha këto komuna më parë drejtoheshin nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila këtë radhë vendosi të mos marrë pjesë në votime, e nxitur nga Beogradi.

Për këtë arsye, krerët serbë paralajmëruan “një krizë të thellë” në këto zona.

Policia e Kosovës sakaq është duke hetuar djegien e ekskavatorit të një shqiptari në Zveçan, i cili punonte atje prej një viti me një kontratë të BE-së. Nga ngjarja, nuk pati të lënduar.

Top Channel