Evakuohen me urgjencë diplomatët nga Sudani, Borell: Kemi larguar 1 mijë vetë

24/04/2023 12:14

Diplomatë e shtetas të huaj po largohen me urgjencë nga Sudani, ky situate është bërë tejet e rrezikshme.

Pas Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe, edhe Franca, Gjermania, Italia e Spanja kanë larguar njerëzit e tyre. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borell njoftoi se tashmë vendin e  përfshirë prej luftimesh të ashpra, e kanë lënë 1.000 shtetas të BE-së.

“Ka qenë një fundjavë e gjatë dhe intensive gjatë së cilës jemi përpjekur të largojmë njerëzit tanë nga Sudani. Ishte një operacion kompleks, por i suksesshëm. Fillimisht u larguan pjesëtarë të stafit të BE-së; rreth 21 vetë janë tashmë në Europë dhe shumë të tjerë janë jashtë Sudanit, nuk ju jap dot një shifër të saktë por janë mbi 1.000, kjo është e sigurt”, u shpreh Borell.

Edhe zyrtarë amerikanë pohuan se operacioni për evakuimin e diplomatëve të SHBA-së e familjeve të tyre nga kryeqyteti i Sudanit, Kartum, ishte “i shpejtë dhe i pastër”. Pentagoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të dronëve për të monitoruar rrugët tokësore drejt qytetit Port Sudan dhe nisjen e anijeve të marinës për të evakuuar amerikanët që mund të arrijnë atje. Rreth 16 mijë shtetas amerikanë ndodhen aktualisht atje.

Qeveria kanadeze u kërkoi qytetarëve të saj atje “të strehohen në vende të sigurta”. Dhuna në Kartum shpërtheu javën e kaluar mes dy ushtrive rivale, ushtrisë së rregullt vendase dhe trupave paraushtarake që njihen si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët e tyre udhëheqin Sudanin që nga viti 2021, kur qeveria civile e vendit u rrëzua përmes një grushti shteti. Mosmarrëveshjet e fundit, që kanë kushtuar qindra jetë njerëzish, kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit tek një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA