Digjet dragoi gjigant në Disneyland, paniku përfshin vizitorët

24/04/2023 12:35

Një strukturë në formë dragoi 45 metra i gjatë u përfshi nga flakët në mesin e një show mjaft popullor në Disneyland të Kalifornisë duke shkaktuar panik mes spektatorëve por fatmirësisht, jo të lënduar.

Zjarri shpërtheu gjatë shfaqjes me tema të “Fantasmic!” në ishullin e Tom Sawyer-it. Pamje të shumta të publikuara në mediat sociale tregonin momentin kur flakët përfshijnë kokën e Dragoit Maleficent në mesin e performancës.

Një shtëllungë e madhe tymi u pa që ngrihej nga vendndodhja përgjatë parkut tematik prej 100 hektarësh, thotë New York Post. Spektakli u ndërpre me urgjencë dhe të ftuar e pjesëtarë kasti u larguan në kohë nga vendngjarja, ku zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e flakëve që u përhapën ndërkohë në trupin e strukturës.

Departamenti i Zjarrfikësve në Anaheim që shoi zjarrin pohoi më pas se zona përreth Frontierland ishte e rrethuar, ndërsa pjesa e mbetur e parkut mbeti e hapur.  Ishulli  i Tom Sawyerit ka qenë një element qendror i shfaqjeve në Disneyland që nga viti 1956 dhe bazohet në librin e famshëm të Mark Twain. Ai u lejon po ashtu vizitorëve të udhëtojnë në gjurmët dhe aventurat e kolonëve të hershëm të Amerikës në vitet 1840.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA