Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha të hënën se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri.

Ai theksoi se serbët duhet të kuptojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

“Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”, tha Hill në një deklaratë për mediat pas një takimi të Odës Ekonomike amerikane në Serbi.

Ai shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në agjendën e takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

“Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet të kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tyre dhe këtë sigurisht do ta sigurojë asociacioni”, theksoi Hill.

Top Channel