“Luluçi thotë se do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi”/ Rama vazhdon fushatën: Me kandidatët e tyre, nuk ka bashkëpunim

23/04/2023 11:56

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, vazhdoi sot fushatën për zgjedhjet e 14 majit nga Elbasani, ku takoi mbështetësit socialistë.

Rama mbështeti kandidatin e PS-së për bashkinë Elbasan, Gledian Llatjan, ndërsa u shpreh se Luçiano Boçi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk mund të bëjë asgjë të mirë për qytetin.

“Elbasani, njeriun e ka gjetur. Për mua është shumë i urtë, por është nga Elbasani. Del ky Luluçi që u distancua nga Luli dhe thotë do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi. Këta të epurit e kalasë. Por ne e morëm ajkën e kalasë dhe e kemi në Ministrinë e Arsimit”.

Duke folur për punët e bëra, Rama përmendi inceneratorin e Elbasanit dhe theksoi se “ka pasur njerëz që donin mjaltë nga plehrat”, por janë tashmë para drejtësisë.

“30 e kusur vite demokrat dhe voton Xhiken. Dhe për ku? Për te mali me plehra. Jo po u bë inceneratori etj etj. Pati probleme, kishte njerëz që donin të nxirrnin mjaltë nga plehrat, por Elbasani e ka tani ajrin të pastër.

Ndodhin edhe këto, por me ne është shumë e qartë kontrata. Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i të mirës, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës, se do mjaltë për të çuar në shtëpi. Thonë që po shkojnë ministra në burg dhe duhen hequr. Ata, kur vinin fletë arresti, i ruanin dhe i fshihnin. Ata doni prapë ju? Ja ku na keni ne. Ne i bëjmë edhe investimet, edhe ndëshkimet”.

Me kandidatët e “Bashkë Fitojmë” nuk mund të ketë bashkëpunim, theksoi kryesocialisti. “pasi ata kanë qëllim të marrin pengje”.

“Më kandidatët e zorrës qorre, që larg qoftë dikush i çon në zyrën e bashkisë, nuk ka bashkëpunim. Nuk ka se si të jetë. Ata kanë qëllim të marrin pengje. Se po të kishin pasion për punë, do ta kishin treguar në ndonjë vend. Më gjeni një bashki ku ata kanë qeverisur dhe të thonë që këtë e kemi bërë ne. Pse Shkodra ka ngelur 30 vite mbrapa. Sepse ata nuk dinë. Nuk mbushin”.

Top Channel