Veliaj dhe Balluku inspektojnë punimet në Lotin 5 të Unazës së Madhe: Investimi lehtëson trafikun dhe rrit vlerën e gjithë zonës

22/04/2023 10:55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, inspektuan ecurinë e punimeve në lotin e 5-të të Unazës së Madhe.

Veliaj tha se ky segment ka një rëndësi jetike sepse lidh gjithë zonën e Dajtit dhe të Freskut, dhe bëri me dije se Bashkia e Tiranës do fillojë menjëherë lëvrimin e bonusit të qirasë për 38 banesat që do shemben për të vijuar ndërtimi i lotit të 5-të të Unazës së Madhe.

“Ne kemi kaluar në Këshillin Bashkiak 38 banesa të reja. Pra, kam nënshkruar kontratën dhe ne mbledhim Këshillin Bashkiak, menjëherë për t’ju kaluar bonusin, që të mos kemi asnjë vonesë. Në momentin që zbardhet nga Prefektura, të 38 familjet që kanë nënshkruar kontratën, lirojnë shtëpitë dhe vazhdojmë me hapjen e kantierit. Por, sidomos ky segment ka një rëndësi jetike sepse lidh gjithë zonën e Dajtit dhe të Freskut, pra ka një shkarkim. Ne e gjetëm Freskun të zhvilluar, gjetëm Astirin të zhvilluar, por siç Astiri është liruar prej atij segmenti, e njëjta gjë do ndodhë edhe me zonën e Freskut. Po ecim paralelisht te zona e Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë “Marubi”, pra gjithë Kinostudio, kështu që aty edhe hyrje-daljet, edhe rrugët anësore, do puqen”, tha Veliaj.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se ky është një nga lotet më të rëndësishme, pasi ndodhet në “zemrën e Tiranës” e cila po zhvillohet çdo ditë e më shumë.

“Kanë ecur punimet, pavarësisht se kemi ende disa punë të rëndësishme me shpronësime për banorët e zonës. Ky është një nga lotet më të rëndësishme sepse është thellë në zemrën e Tiranës, e cila po zhvillohet. Nëse shikojmë përqark, të gjitha punimet që ju keni bërë në infrastrukturë urbane brenda qytetit apo dhe iniciativa private, që ka pasur sektori i ndërtimit, janë seriozisht të rëndësishme, duhen konsideruar. Kjo pjesë e Unazës, e cila do lidhë të gjitha pjesët e tjera të përfunduara, tashmë për të mbyllur Unazën e Madhe të Tiranës 28.8 km, të cilat i ofrojnë shërbim infrastrukturor jo vetëm qytetit, por edhe të gjitha autostradave, të cilat janë të lidhura në të si ajo që shkon në verilindje, ajo e Rrugës së Arbrit, si autostradat që shkojnë drejt jugut apo ajo që shkon në juglindje si ajo e Elbasanit, apo autostrada e Durrësit, të gjitha lidhen me këtë arterie kaq të rëndësishme që është Unaza e Madhe e Tiranës”, tha Balluku.

Kreu i Bashkisë tha se nëse ata që vetëm kundërshtojnë punët e mira në qytet e konsiderojnë si fajtor se ka rritur vlerën e pronës, atëherë e pranon fajin, mjafton që vendi të ecë përpara.

“Ne, jo vetëm që kemi zgjidhur strehimin, por në momentin që investimi merr trajtë përfundimtare lirohen për legalizim edhe ato që janë pranë rrugës. Praktikisht, zgjidhet përfundimisht edhe ankthi i atyre që janë pranë dhe thonë “më kap, s’më kap”, por zgjidhet edhe strehimi i atyre që i kap dhe që në fakt e kanë ditur. Fakti që ne sapo bëmë kontratat e para – në një dorë patëm 38 përnjëherë – do të thotë se njerëzit kanë kuptuar që siguria që të ofron qiraja tre vjeçare, pra që ti je i qetë tre vjet. Koha e gjatë nënkupton që mbaron edhe projekti, sigurisht mbarojnë edhe apartamentet. Fakti që sot tek “5 Maji”, ku kemi ecur pak më shpejt, një pjesë madhe e banorëve, edhe e atyre që kanë marrë për shpronësim, por edhe e atyre të tërmetit janë futur dhe po jetohet, është një garanci e prekshme. Kur ti shikon që ka marrë jetë dhe kur shikon që premtimi është mbajtur dhe njerëzit janë futur nëpër shtëpi, na është bërë pak më kollaj puna dhe tani besoj ka një efekt domino. Pra, mbaroi ky lot, filloi loti tjetër dhe një akuzat për të cilat unë jam fajtor, kur thonë që: Shiko, po mirë dakord, e bllokuam ne Astirin, por tani që u ndërtua, tani është rritur edhe aty çmimi i shtëpive! Për këtë jam fajtor. Jemi faktorë të dy bashkë, sepse unë besoj që është lajm i mirë që është rritur vlera e shtëpive”, tha Veliaj.

Mandej, Balluku tha se investimet e bëra i kanë rritur ndjeshëm vlerën pronës në Tiranë. “Ne vërtet e gjetëm Freskun të zhvilluar, vërtetë gjetëm Astirin, por si e gjetëm të zhvilluar. Ishin pallatet të ndërtuara pa pasur asnjë infrastrukturë bazike. As kanalizimet madje. Për të mos folur për hapësirat e përbashkëta, për rrugët lidhëse, për kopshte apo stolat, etj. Kështu që, me të vërtetë i kemi gjetur, por i kemi gjetur në ditën më të zezë dhe i kemi transformuar totalisht. Me ardhjen e infrastrukurës urbane, padyshim të gjitha këto zona kanë rritur vlerën e tyre disa herë”, përfundoi Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës kanjë gjatësi totale prej 28.774 km. Ndërtimi i saj lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut dhe do të krijojë mundësi të reja hyrjeje për në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA