Prag sezoni turistik, lyhen me bojë grafitet me gjuhë urrejtjeje në mbikalimin e Urës së Dajlanit

22/04/2023 14:52

Këtë fundjavë, në mbikalimin e Urës së Dajlanit në Durrës ka nisur lyerja me bojë të bardhë e grafiteve që përdorin gjuhën e urrejtjes e përçarjes kombëtare, duke cenuar dhe harmoninë mes vendeve të rajonit, banorët e të cilëve kalojnë çdo verë pushimet në Durrës e përgjatë  bregdetit shqiptar.

Të shkruara nga persona ende të panjohur për autoritetet, kjo gjuhë e urrejtjes tepër e dukshme jo vetëm te mbikalimi në hyrje të qytetit, po dhe në zona të tjera të tij, ka shqetësuar aktivistin dhe piktorin e muraleve Bledar Ccakalli i cili pak javë më parë nisi të bëjë të palexueshme shkrimet e urrejtjes nga muret e mbikalimit duke përdorur bojën e zezë (spraj) mbi to.

Sot, së bashku me dy të rinj të tjerë, ai është kthyer sërish te mbikalimi këtë herë për t’i fshirë ato me bojë të bardhë.  Pas thirrjes që bëri në kronikën e transmetuar në TCH ka pasur persona që kanë reaguar duke e ndihmuar dhe nuk e kanë lënë vetëm në këtë nisëm.

Por sipërfaqet me grafitet e urrejtjes e përçarjes janë të shumta dhe nevoja për të kthyer në identitet muret mbajtëse të mbikalimit dhe ato rreth e rrotull tij  është e madhe.

Nismës së këtyre të rinjve duhet t’i bashkohen dhe ndërmarrjet vendore të pastrimit apo dhe subjekte të tjera. Pas fshirjes, synohet që mbikalimi i këmbësorëve në hyrje të zonës së plazhit të kthehet në një hapësirë ku të mbizotërojnë muralet me simbolet kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA