Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar këtë të premte Sali Berishën, duke vendosur që logot e partive dhe koalicioneve të qëndrojnë në fletën e votimit.
Dy ditë më parë, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e Sali Berishës për të qenë kryetar në fletën e votimit për zgjedhjet e 14 majit.
Në vlerësimin e anëtarëve të KAS, fleta e votimit nuk mund të qëndrojë pa kryetar ndaj vendosi korrigjimin e vendimit të Komisionerit, duke shënuar përbri koalicionit, “Bashkë Fitojmë”, emrin e Ilir Metës.
KAS refuzoi të pranonte edhe kërkesën tjetër të Berishës për heqjen e logove të partive nga fleta e votimit për kryetar Bashkie.
Ashtu sikurse pritej, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ankimoi vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Ky i fundit rrëzoi edhe një herë tjetër Berishën.
Ndërkohë, pritet të shqyrtohet kërkesa tjetër e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për të zëvendësuar emrin si drejtues të koalicionit duke vendosur emrin Sali Berisha në vend të Ilir Meta në përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak në të 61 bashkitë e vendit.
Top Channel