Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës tha të mërkurën se sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” kanë mbërritur në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes kanë kërkuar prej një kohe të gjatë armë të avancuara që mund të godasin objektivat ruse. Forcat ukrainase janë stërvitur në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për përdorimin e sistemit të raketave Patriot.
“Qielli ynë i bukur ukrainas sot është më i sigurt për shkak të mbërritjes në Ukrainë të sistemit të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të ministrit ukrainas të mbrojtjes, Oleksii Reznikov.
“Forcat tona të mbrojtjes ajrore mësuan me shpejtësi se si ta përdorin këtë sistem dhe partnerët tanë e mbajtën fjalën”, shtoi ai.
Për muaj të tërë Ukraina ka kërkuar me ngulm nga aleatët e saj sistemin e raketave Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, duke thënë se këto sisteme do ta forconin Ukrainën çka do të përbënte një hap të madh në luftën kundër Kremlinit.
Aspiratat e Suedisë për anëtarësim në NATO
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, shprehu mbështetje të mërkurën lidhur me aspiratat e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Duke folur gjatë një vizite në bazën detare Musko në Suedi, zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht anëtarësimin e shpejtë të Suedisë në aleancën e NATO-s. “Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha që kjo të realizohet para takimit nivelit të lartë të aleancës”.
Zoti Austin tha se ushtria suedeze “do t’i shtojë shumë vlerë NATO-s dhe përpjekjeve të përgjithshme të aleancës”. “Ju keni një ushtri profesionale dhe keni investuar shumë në modernizim gjatë disa viteve të fundit”, u tha zoti Austin të pranishmëve.
Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO së bashku me Finlandën në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës vitin e kaluar.
Finlanda iu bashkua zyrtarisht aleancës ushtarake në fillim të prillit. Kërkesa e Suedisë për anëtarësim ka hasur kundërshtime nga Hungaria dhe Turqia. Stambolli thotë se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm për të goditur grupet që Turqia i konsideron si organizata terroriste. /VOA
Top Channel