Të paktën 85 të vdekur e mbi 300 të plagosur, është bilanci i tragjedisë së shënuar në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, ku njerëzit e mbledhur në një shkollë gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare për Ramazan, nisën të shtyhen me njëri-tjetrin në një situatë që përfundoi në skena kaotike.
Qindra vetë ishin mbledhur në zonën e Bab el Jemenit për të përfituar donacionin që arrinte në rreth nëntë dollarë për person. Mes viktimave ka edhe gra e fëmijë. Të paktën 50 persona janë aktualisht në gjendje kritike.
Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalet aty pranë ndërsa organizatorët e eventit u ndaluan nga policia. Kontrollin e Sanaas e morën rreth 9 vjet më parë rebelët Huthi, duke nxitur ndërhyrjen e një koalicioni ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite për të mbështetur qeverinë legjitime të vendit.
Që atëherë, lufta në Jemen ka marrë qindra mijëra jetë dhe ka nisur një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, në këtë vend që konsiderohet më i varfëri i Gadishullit Arabik. Aktualisht, mbi 23 milionë njerëz atje apo tre të katërtat e popullsisë, kanë nevojë për një formë ndihme.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit është ende e vendosur në qytetin port jugor të Adenit. Megjithatë, ajo nuk drejtohet më nga Abdrabbuh Mansour Hadi, i cili ia dorëzoi pushtetin një këshilli drejtues prej tetë anëtarësh në vitin 2022.
Top Channel