Rusia ka paralajmëruar Korenë e Jugut kundër dërgimit të armëve në Ukrainë, pasi Seuli hapi derën e mundësisë për dërgimin e ndihmës ushtarake në Kiev, në rast do të ketë ndonjë sulm në shkallë të gjerë ndaj civilëve.
Aleat i Uashingtonit, Seuli deri më tani ka ofruar ndihmë jovdekjeprurëse dhe humanitare për Ukrainën. Por, Koreja e Jugut deri më tani kishte përjashtuar mundësinë e dërgimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Megjithatë, presidenti jugkorean, Yoon Suk Yeol, tha për Reuters se “nëse ka një situatë që komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta pranojë, siç do të mund të jetë një sulm në shkallë të gjerë ndaj civilëve… mund të jetë e vështirë për ne që të insistojmë vetëm në mbështetjen humanitare apo financiare”.
Kremlini tha se nisja e dërgesave të armëve do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë në konfliktin në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, Seuli ka ndërmarrë një qëndrim mjaft jomiqësor”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Nisja e dërgimit të armëve në mënyrë indirekte do të nënkuptojë një fazë të caktuar të përfshirjes në këtë konflikt”, shtoi ai gjatë deklarimit për gazetarët.
Ukraina – që po përballet me pushtimin rus që nga 24 shkurti i vitit 2022 – vazhdimisht pranon ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera të NATO-s.
Më 19 prill, në Kiev arritën edhe sistemet e para të mbrojtjes ajrore, Patriot, që pritet të ndihmojnë forcat ukrainase që të kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të vazhdueshme ajrore ruse. /REL
Top Channel