Njëmbëdhjetë peshkatarë indonezianë të bllokuar në një ishull të largët në ujërat e oqeanit pranë Australisë, raportohet se janë shpëtuar pasi qëndruan gjashtë ditë pa ujë e ushqim.
Tetë të tjerë besohet se kanë vdekur pas goditjes së barkave të tyre nga cikloni Ilsa në veriperëndim të Australisë javës që shkoi.
Një nga barkat e tyre, e quajtur Putri Jaya, ishte fundosur në kushtet ekstreme të motit më 11 dhe 12 prill në oqeanin Indian, thanë zyrtarwt rajonalë.
Një person që kishte mbijetuar nga kjo barkë raportohet se kishte arritur në ishullin Bedwell pas rreth 30 orësh.
Barka tjetër e quajtur Express 1, doli në po këtë ishull me 10 njerëz në bord.
“Ata qëndruan në ishullin Bedwell për gjashtë ditë pa ujë e ushqim, para se të shpëtoheshin mbrëmjen e të hënës”, thanë zyrtarët australianë.
Të mbijetuarit u zbuluan nga një fluturim rutinë zbulimi i forcave kufitare australiane dhe u dërguan në spitalin e Broome në gjendje relativisht të mirë shëndetësore, megjithë peripecitë e kaluara.
Konsullata indoneziane në Darwin ka kërkuar të takohet me peshkatarët për t’i dhënë asistencën e nevojshme.
Top Channel