Në 42-vjetorin e tragjedisë së Fekenit, ku humbën jetën 11 oficerë dhe studentë ushtarakë, sheshit kryesor të Golemit iu vu emri i njërit prej tyre, Dëshmorit të Atdheut, Nexhip Çopa.
Familjarë, ushtarakë bashkëkohës të dëshmorit, drejtues të pushtetit vendor dhe banorë të Golemit u mblodhën për të kujtuar e nderuar birin e kësaj zone Nexhip Çopën, dhe të rënët në atë ngjarje që hyri në historinë e Forcave tona të Armatosura si dëshmi e gjallë e sakrificës dhe vetëmohimit.
“42 vjet më parë, 6 shkurt, e premte, ora 10.40. Një ortek masiv I madh dëbore u shkëput nga maja ku po ngjiteshim dhe vë poshtë më shumë se 150 studentë e pedagogë. U dha alarmi dhe shokët tanë që ishin në stacione të tjera stërvitore rendën drejt ortekut për të nxjerrë shokët nga kthetrat e dëborës dhe kur menduam se kishim shpëtuar shumë jetë, një ortek i dytë bëri të njëjtën gjë. Po nëse nuk do të ishte heroizmi I atyre studentëve që u lëshuan si shqiponja për të shpëtuar shokët e tyre’, tha Gjeneral Brigade Vladimir Qiriazi.
“Nexhipi mund të rrinte dhe i qetë aty ku ishte, por ai erdhi në ndihmë të shokëve dhe aty dha jetën” tha Agron Zerani, bashkëkohës .
Nexhip Çopa ishte një prej studentëve që nxituan të shpëtojnë ata që kishin mbetur nën dëborë, kur një ortek i dytë godet pa mëshirë. Shefqet Kërcelli, bashkëstudent i Çopës tregon si u përball me fatkeqësinë dhe gjetjen e trupit të tij gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.
“U pajisëm me shkopinj hekuri se terreni ishte i tillë, me borë të ngrirë. Bashkë me dy shokë të tjerë ishim në drejtimin ku kishte rënë Nexhipi. E pamë buzë një trungu ahu shekullor. Erdhën dhe studentë të tjerë. Ishte dhe drejtori i shkollës dhe e nxorrëm”,tha Shefqet Kërcelli.
Me kërkesë të komunitetit dhe vendim të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të Kavajës sheshit në qendër të Golemit iu vu emri Nexhip Çopa për të nderuar gjithnjë kujtimin dhe vetëmohimin e tij.
Emocione përcolli kjo ditë veçanërisht tek nëna dhe familjarët e Dëshmorit.
“Kujtesa, vlerësimi që po I bëhet sot Nrxhip Çopës është një shenjë respekti për aktin e tij heroic, që në moshën 22-vjeçare në luftë me forcat e natyrës dha jetën në krye të detyrës për të shpëtuar shokët nga orteku i dëborës. Mirënjohje për të gjithë ju që bëtë të mundur evidentimin e duhur të vlerave për t’ua përcjellë ato brezave”, tha Vasip Çopa.
Ushtarakët, ish- bashkëkohas të Çopës, kërkuan që dhe nga bashkitë e tjera të vendit nga ishin këta dëshmorë të Atdheut të ndërmerren nisma që nderojnë dhe mbajnë gjallë kujtimin e tyre.
Top Channel