Turi i gjelbër i kandidatit socialist ne Tiranë, Erion Veliaj u ndal në Njësinë 3, ku mbolli disa pemë me banorët e zonës dhe ndau me ta faktin se kush ka bërë 100 punë, kush ka bërë shkolla, çerdhe e investime të tjera, mund të bëjë akoma më shumë dhe se vetëm kështu ecet përpara.
“Kemi bërë 40 e ca shkolla nga e para, kemi bërë 19 çerdhe komplet të reja, kemi bërë 43 kopshte dhe kemi rinovuar të gjitha të tjerat. Ndoshta, nuk mjaftojnë, por kush ka bërë 40 bën edhe 44. Kush ka bërë 19 bën dhe 29. Kush ka punuar, mund të punojë akoma më shumë. Pyetja që unë kam: me thoni një shkollë që bënë ata? Në 2011-2015 e drejtonte Saliun me Ilirin bashkinë. Pavarësisht se kukulla atëherë quhej Luli, sot kukulla është dikush tjetër.
Kur ata dalin nëpër Shqipëri dhe kërkojnë vota, nuk kanë hallin e kalamajve tanë, se po të kishin hallet e kalamajve tanë do flisnin për shkollën e ardhshme për çerdhen e ardhshme, për kopshtin ardhshëm, për investimin e ardhshëm. Ata kanë hallin e tyre. Halli i tyre është se Saliu është non grata. Imagjinoni njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë sot nuk shkon dot deri në Rinas. Iliri ka hall tjetër. Halli i Ilirit është se ka dalë fuksi i lagjes. Dhe shikoni çfarë thonë ata: Hallet tona u bëfshin hallet për të gjithë ju. Kurse ne themi: Jo, hallet e gjithë komunitetit u kthefshin në zgjidhje për bashkinë ndaj komunitetit. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Premtimet e koalicionit të çiftit Berisha-Meta për autobusë falas e për çdo gjë falas, kandidati i PS-së për Tiranën, Veliaj tha se janë vetëm gënjeshtra, pasi ata e kanë mundësinë t’i bëjnë në Shkodër dhe nuk e bëjnë.
“Do e bëjmë transportin falas thotë Saliu me Ilirin. Autobus i lirisë, i demokracisë. T’ju bëj një pyetje. Pse nuk e bëjnë falas në Shkodër këta? E kanë Shkodrën. Një linjë ka Shkodra, Tirana ka 19 linja rreth qytetase dhe 20 në qytet, pra ka nja 39-40 linja. Ata një kanë, bën xhiro lart e poshtë nëpër Shkodër. Pse nuk e bëjnë falas atë. Nuk e bëjmë falas thonë se nuk kemi taksa. Shkodra që i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, sot ka 2-fishin e taksave dhe është 10 herë më keq në standard. Nuk është çështje lekësh, por është çështje menaxhimi. Ne kemi qenë të varfër, por nënat tona e menaxhonin shtëpinë me dinjitet. Këtu nuk është çështje taksash se kanë taksat 2-fish më shumë se ne, në të vetmen bashki që kanë ata. Por autobus nuk ka falas, as plehrat nuk pastrohen tre herë në ditë, as Lana dhe gjithë kanalizimet e tjera nuk janë sistemuar, as qyteti nuk po u rritet, as vlera e pronës nuk po u rritet”, përfundoi Veliaj.
Top Channel