KQZ i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor përshpejtim të shqyrtimit të ankimeve të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve kundër vendimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në lidhje me fletën e votimit.
Sipas komisionerit Ilirjan Celicashi, ankimet duhet të shqyrtohen jo më vonë se 24 orë nga depozitimi i tyre, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së fletëve të votimit.
“Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të rregullave të parashikuara në nenin 8 dhe nenin 10, pika 1 dhe pika 2, të ligjit nr. 10019, date 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me Dekretin nr. 13864, date 24.10.2022, ka caktuar datën 14 Maj 2023 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Duke respektuar paanësinë tuaj në vendimmarrje dhe pa cenuar pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor, kërkojmë përshpejtimin e shqyrtimit të ankimeve të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve kundër vendimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, në lidhje me fletën e votimit.
Brenda mundësive ankimet të shqyrtohen jo më vonë se 24 orë nga depozitimi i tyre, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së fletëve të votimit, pasi çdo vonese në gjykim, krijon pamundësinë e miratimit të përmbajtjes së fletës së votimit brenda afateve të përcaktuara në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, shkruhet në letër.
Top Channel