Një grua ruse është gjobitur me 40,000 rubla ose 393 £ për “diskreditimin e ushtrisë ruse”, pasi e quajti presidentin ukrainas Zelensky një “djalosh të pashëm”.
Olga Slegina mori gjobën prej 393 £, pasi u akuzua dhe u shpall fajtore sipas ligjeve të “censurës së luftës”, të prezantuara marsin e kaluar. Seanca gjyqësore, në Moskë, zgjati vetëm pesë minuta, raporton MailOnline. Zonja Slegina akuzohet se kishte deklaruar që Zelensky ka një sens të mirë humori.
Sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut Memorial, ajo po fliste me një grua nga Odesa, Ukrainë, gjatë darkës se si të shqiptohej një fjalë ukrainase për një lloj buke, më 24 dhjetorin e kaluar.
Tre ditë më vonë asaj iu afrua një burrë me rroba civile, i cili tha se tre persona e kishin raportuar atë në polici. Në stacionin e policisë u pretendua se ajo kishte ‘lavdëruar Zelensky’, për të cilën ajo u përgjigj se kishte komentuar vetëm për pamjen e tij.
Zonja Slegina u mor në pyetje dhe u kërkua të nënshkruante një dokument, të cilin ajo nuk mund ta lexonte siç duhet për shkak të shikimi të saj të dobët.
Besohet se zonja Slegina synon të apelojë gjobën e saj. Ajo u përfaqësua nga një avokat nga OVD-Info, një projekt mediatik rus për të drejtat e njeriut që synon të luftojë persekutimin politik.
Top Channel