DEA amerikane nën hetim: Ku shkuan mbi 5 milion USD, dyshimet për punësimin

20/04/2023 12:18

Skandaleve të korrupsionit nuk i ka shpëtuar as Agjencia e famshme amerikane e Luftës Kundër Drogës, DEA, e cila po hetohet nga Inspektori i Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë nëse ka nënshkruar kontrata me vlerë prej miliona dollarësh në shkelje të rregullave dhe pa konkurrentë, me qëllim punësimin e bashkëpunëtorëve të mëparshëm të shefes së saj, Anne Milgram.

Lajmin e ka përcjellë “Associated Press” , që për pohimet e saj citon burime të afërta me hetimin. Zyra e Inspektorit është duke verifikuar  4.7 milionë dollarët e shpenzuar nga DEA për “planifikimin dhe komunikimin strategjik”, me dyshimin se në fakt, po synohej punësimi i individëve të cilët Milgram i njihte nga koha kur ishte Prokurore e Përgjithshme e Nju Xhersit dhe profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut.

Disa nga personat e kontraktuar janë pjesë e rrethit të ngushtë të saj, përgjegjës për analizën e të dhënave, kontaktet me komunitetin dhe marrëdhëniet me publikun dhe paguhen shumë më tepër se zyrtarët qeveritarë. Në lupën e hetuesve është edhe një kontratë me vlerë 1,4 milionë dollarë, e cila i është dhënë një kompanie ligjore në Uashington, për të shqyrtuar operacionet e DEA-s amerikane në vendet e huaja, të pllakosura nga skandalet, një raport që është kritikuar gjerësisht për shkak se nuk ka analizuar në detaje shkeljet nga agjentë të saj.

Bashkautor i raportit ishte pikërisht Boyd Johnson, ish-krahu i djathtë i ish-prokurorit të Manhatanit, Preet Bharara, një prej miqve të ngushtë të Miligram. Nëse në fund të hetimeve do të rezultojë se ka patur shkelje, Inspektori i Përgjithshëm mund të rekomandojë çdo masë, nga sanksionet administrative deri tek ndjekja penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA